Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka takuar familjarët e 4 martirëve të demokracisë dhe anëtarë të Shoqatës patriotike ‘’2 prilli’’.

Meta thotë se u angazhua që amanetin e Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës do e përmbushë duke marshuar fitimtarë drejt 25 prillit për mbrojtjen e demokracisë, të ardhmen europiane, si dhe për mos lejuar shpopullimin e vendit.

Vetë Meta shkruan se si ish-student i Dhjetorit të ’90 do të jetë i palëkundur drejt misionit historik.

 

STATUSI NGA ILIR META

E kisha pritur prej kohësh një takim kaq të ngrohtë e frymëzues me familjarët e katër Martirëve të Demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu e Besnik Ceka, por edhe me anëtarë të Shoqatës patriotike “2 Prilli”, me të cilët ndamë shqetësimin e përbashkët për gjendjen e rëndë ku ndodhen demokracia dhe liritë e të drejtat e njeriut, për shkak të keqqeverisjes dhe kapjes së shtetit.

Si ish-student i Dhjetorit ’90 ju garantova se do të jem i palëkundur në ballë të misionit historik e patriotik, që nisëm tre dekada më parë, për mbrojtjen e demokracisë, zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe paprekshmërisë së votës, për të cilat dhanë jetën më 2 prill 1991 edhe katër djemtë më të mirë të Shqipërisë.

Nga Shkodra, zemra e demokracisë, u angazhova para familjarëve të Dëshmorëve se do ta përmbushim amanetin e tyre duke marshuar fitimtarë drejt 25 prillit për të mbrojtur zgjedhjet, të ardhmen europiane të vendit, për të mos lejuar më shpopullimin e Shqipërisë dhe largimin e shkodranëve e shqiptarëve, për t’i zëvendësuar ata me qytetarë nga vende të tjera.

Gjaku i katër Martirëve të Demokracisë, i Havzi Nelës dhe i të gjithë Dëshmorëve të rënë për lirinë e demokracinë nuk do të bëhet ujë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb