Festë me birrë në të cilën marrin pjesë mbi 100 000 njerëz. Përvojat në Evropë kanë treguar se festa të tilla nuk kalojnë pa incidente. Por Korça tregoi edhe këtë vit se di të festojë në mënyrën më të kulturuar. Në 5 net të festë së Birrës në këtë qytet të mbipopulluar nga turistët nuk u shënua as incidenti më i vogël, edhe pse birra derdhej vërtet si lumë.

Festa tashmë traditë e “Birrës Korça” uli siparin ne këtë mesgusht në mënyrën më të jashtëzakonshme ku për një javë u shijua birra e mirë dhe festa e vërtetë. Qyteti juglindor priti qindra mijëra shqiptarë e të huaj që u argëtuan së bashku duke dhënë një shembull, sesi mund të festosh e të argëtohesh në një festë tipike birre.

Siguria dhe kalimi i pesë ditëve të festës pa asnjë incident të regjistruar ia shtoi edhe më tej bukurinë festës duke dëshmuar edhe njëherë se Korça e meriton denjësisht të krahasohet me shembujt më të mirë të organizimit të festave në vende të ndryshme të Europës.

Kjo falë qytetarisë së treguar nga pjesëmarrësit e festës, organizimit të mirë të bashkisë dhe punës së policisë. Meritë kanë gjithashtu organizatorët e festës së Birra Korça, stendat e së cilës ishin të shumta në numër në gjithë qytetin dhe mblidhnin rreth vetes mijëra turistë e konsumatorë të kësaj birre.

Pjesëmarrësit në festë e vlerësojnë këtë fakt dhe meritat ua japin organizatorëve të festës por edhe kulturës së vendasve që dinë të mirëpresin vizitorët. Edhe për këtë arsye, ata presin me dëshirë të rikthehen në Korçë për këtë festë.

Festa e Birrës zbrazi gota të panumërta birre, ku dominoi mbretëresha e tyre, “Birra Korça”. Mijëra pjesëmarrës që mbushën sheshin para stadiumit “Skënderbeu”, Pazarin e Vjetër por edhe polin tradicional të kësaj feste që është restoranti i njohur i “Birra Korça” kanë festuar duke treguar qytetari dhe duke treguar sesi bëhet qejf me një birrë në dorë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb