TIRANË

Detaje të reja zbardhen nga vetëhedhja e pacientit 60-vjeçar nga spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi”.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se 60-vjeçari është hedhur nga kati i tretë i spitalit, ku kishte 10 ditë i shtruar nga Covid-19.

Mësohet se gjendja e tij shëndetësore ishte e agravuar, çka ka bërë që pacienti L. S. nga Rrësheni t’i japë fund jetës në mënyrë tragjike.

Siç raporton gazetarja Bezat, pacienti është hedhur nga dritarja e dhomës së tij, teksa kishte gjetur pikërisht një moment kur lëvizja e mjekëve dhe infermierëve ishte më e reduktuar.

Ndërkohë, policia ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit dhe ka marrë në pyetje mjekët e turnit për të zbardhur ngjarjen.

Ky është viktima e pestë që ka kryer aktin e vetëvrasjes deri tani në dy spitalet Covid, “Shefqet Ndroqi” dhe “Infektivi”, brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Në spitalin “Shefqet Ndroqi”, më 13 gusht i dha fund jetës 29-vjeçari Xhino Koça, më 2 shtator u vetëhodh 65-vjeçari Hasan Mira dhe më 1 nëntor 52-vjeçari Preng Gjonaj. Këto tre fatalitete te “Shefqet Ndroqi” u ndoqën nga vetëhedhja e 69-vjeçarit Reshat Grembi më 10 nëntor, te Spitali Infektiv.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb