Atë mbrëmje tetori e gjithë shqiptaria ishte me sytë nga Beogradi! Si kurrë më parë një ndeshje futbolli kishte zgjuar interesin dhe të atyre që me futbollin nuk kanë pasur kurrfarë interesi! Kombëtarja kuqezi sfidonte Serbinë në “Humska”, stadiumin e Partizanit të Beogradit, që më 14 tetor të vitit 2014 ishte kthyer në një arenë urrejtjeje, raciste dhe ksenofobie!

Një ndeshje që nuk duhej të ishte luajtur kurrë parë atë klimë. Një ndeshje që u ngarkua që në çastin e shortit e që kulmoi javën e fundit kur federata serbe la jashtë stadiumit tifozët shqiptarë dhe nuk bëri asgjë për të garantuar qetësinë e një sfide, e cila që në gjenezë ishte e destinuar për t’u bërë skenë një prej ngjarjeve më të turpshme të historisë së futbollit modern.

Dhe e gjitha me vetëdije të plotë! Thirrjet “Ubi, ubi siptara” (vrite, vrite shqiptarin), “Ubij zakolji da siptar ne postoji” (vrite shqiptarin sepse ai nuk ekziston), “Kosovo Serbie je” (Kosova është e Serbisë) dhe lloj lloj thirrjesh kafshërore e të denja për një turme skizofrene që jetonte ende me politkat kriminale të Milosheviçit dhe genocidit çetnik të Serbisë në Kosovë, u përplas në rrugët e Beogradit, për të hyrë të gjitha në stadium dhe për t’u derdhur me gjithë forcën që urrejtja çnjerëzore mund të sjellë mbi Kombëtaren e Shqipërisë.

Flamuri
Flamuri
Dhuna Beograd 473x266
Dhuna Beograd 473×266

5 vjet më parë, djemtë tanë nxorrën nga shpirti zërin për të mposhtur uturimën që vërshëllente Himnin Kombëtar. 5 vjet më parë gjërat mund të kishin shkuar edhe më keq se aq, nëse forcat e armatosura nuk do kishin mbledhur mendjen dhe të ndërhynin në një stadium ku vetëm për futboll nuk mund të flitej. Sepse dhe atë, Serbia po e humbiste…

Pas një starti të keq të ndeshjes, me skuadrën e drejtuar nga holandezi Dik Advokat që mori terren në atë dozë mllefi që vinte nga tribunat, ekipi i De Biazit mbledh veten dhe nis të shfaqet rrezikshëm në mesfushën serbe duke fituar goditje këndi e kërcënuar kuadratin e Stojkoviçit. Tribunat ndjenë frikë, rastet janë flagrante. Prej tyre fillon moria e fishekzjarreve që e detyrojnë anglezin Atkinson të ndërpresë takimin në disa momente deri kur në minutën e 43-të klima në “Humska” të bëhet sureale!

Dhuna
Dhuna

Në qiellin sipër stadiumit shfaqet një dron, i cili po fluturonte një cohë e cila u shqua me vështirësi në fillim, por kur imazhi i tij u bë i qartë, atëherë histeria arriti shkallën më të lartë. Portretet e Ismal Qemal Vlorës dhe Isa Boletinit si dhe harta e Shqipërisë Etknike, shoqëruar me mbishkrimin “Autochthonus” çmendi serbët që kërkonin me ulërima ta ulnin poshtë atë.

Siç u mësua më pas, ajo ishte vepër e “Ballist” Morinës, që gabimisht ia dorëzoi lojtarit Tosiç, i cili e ul me nervozizëm poshtë flamurin dhe rrëzon dronin. Këtu ndërhyjnë të gjithë lojtarët kuqezi (atë ndeshje me të bardha), që kërkojnë të marrin dhe e marrin flamurin mbrapsht… Më pas ndodh e paimagjinueshmja! Ultras serbë (edhe Ivan Bogdanov që dogji flamurin shqiptar në Gjenovë), fotografë, security të stadiumit te gjithë bashkë godasin me ç’të mundin djemtë kuqezi, por që për asnjë moment nuk dorëzohen para tyre. Simbolike fotografia e kapitenit Lorik Cana, i cili ka shtrirë përtokë një huligan që goditi Bekim Balajn me një stol në shpinë!

Lorik Cana Grushti
Lorik Cana Grushti

Për futboll nuk mund të flitej më, nuk u fol kurrë në fakt, por UEFA e Mishel Platinisë ishte e vendosur ta bëntë këtë ndeshje, lejoi çdo skenar racizmi dhe madje pati paturpësinë t’ia jepte fitoren në tavolinë në mënyrë groteske Serbisë, por Shqipëria e fitoi të drejtën e saj në KAS.

Pas disa orësh të mbetur në mëshirën e kontrolleve të policisë, të cilët kërkonin telekomandën e dronit të famshëm, Kombëtarja u kthye në Tiranë e pritur nga mijëra tifozë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe që shoqëruan ekipin kuqezi në kryeqytet në festë… për ta fitorja ishte arritur!

Në fund të atyre eliminatoreve, ndonëse Serbia fitoi në Tiranë 2-0, kuqezinjtë do të shkonin në Euro 2016 për përfaqësimin e tyre historik në një evenimet madhor të futbollit, ndërsa skuadra e Dik Advokat do të mbetej në shtëpi.

(Balkanweb/ j.s)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb