Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se, PL do të rrisë me 5-fish financimin për bujqësinë e blegtorinë. Në fjalën e tij në mbledhjen me strukturat drejtuese të Partisë së Lirisë në Elbasan, Blushi tha se, “më 11 Maj, Elbasani i Ditës së Verës do të shndërrohet në kryeqytetin e pranverës së demokracisë dhe fitores së opozitës”.

“Më 11 maj çlirojmë Elbasanin nga bandat dhe do ia rikthejmë qytetarisë elbasanase”, tha ai.

“Ne kemi bërë çdo përpjekje dhe do vijojmë të bëjmë gjithçka në mënyrë që perspektiva e të rinjve dhe të rejave të Elbasanit të mos jetë largimi nga vendi, të mos jetë rekrutimi nga bandat që duan të kontrollojnë qytetin, por të jetë mbështetja e tyre ekonomike dhe në veçanti mirëqënia e të gjithë qytetarëve, përfshi edhe të pensionistëve që aq shumë kanë kontribuar për zhvillimin e këtij qyteti”, tha Blushi.

Duke folur për bujqësinë, Blushi u shpreh se, “Elbasani është i përqendruar te sektori i bujqësisë që zë gati rreth 40% të ekonomisë të këtij qarku dhe ku sipas të dhënave më të fundit janë punësuar rreth 62% e fuqisë aktive puntore, por edhe më tronditëse është se nga gjithë ky qark që e ka ekonominë të përqëndruar te bujqësia, produktet e fermerëve të Elbasanit furnizojnë jo më shumë se 2% të tregut vendas me prodhime, sepse fokusi nuk ka qenë kurrë prodhuesi vendas, nuk ka qenë kurrë fermeri i Elbasanit, por vetëm importi që ka i detyruar sot edhe vetë fermerët në Elbasan të furnizohen apo ushqehen më produkte importi dhe jo me produktet që ata deri dje prodhonin”.

“Të gjithë fermerët e dinë se si në këto 12 vite rimbursimi i TVSH për imputet bujqësore u ul nga 20% në 6%”, theksoi Blushi.

“Bujqësia është 1 nga 5 prioritetet tona kryesore, sepse ne besojmë se duke mbështetur fermerin në Elbasan, ne kemi mbështetur mijëra familje që sot, jo vetëm janë të braktisur dhe të harruar nga shteti, por që shohin si të vetmen zgjidhje largimin nga vendi”, tha Blushi.

Falë këtij programi, shtoi ai, PL do të rrisë me 5-fish financimin për bujqësinë e blegtorinë. Do ta uli TVSH për prodhimet bujqësore dhe blegtorale në 5%.

“Do t’i dhurojmë 10 mijë euro fond çdo familje fermere në qarkun e Elbasanit që hap një biznes bujqësor familjar dhe do ta përjashtojmë për 5 vite nga taksat e tatimet”, tha ai.

“Falë këtij programi ne do të mundësojmë edhe frenimin e dramës së madhe të shpopullimit në këtë qark”, shtoi Blushi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb