“Pesha e baltës”, është një dokumentar që i kushtohet të zhdukurve me forcë gjatë diktaturës komuniste dhe dhimbjes së familjarëve të tyre. Janë 6 mijë të pushkatuar, të vdekur nëpër burgje e kampe internimi, eshtrat e të cilëve nuk dihet ku janë.

Në bashkëpunim me ISP, studiuesin Afrim Krasniqi dhe me mbështetjen e ICMP, punuam prej disa muajsh për realizimin e këtij dokumentari që synon të risjellë në vëmendje historinë tragjike të të zhdukurve me forcë në Shqipëri, vuajtjen shpirtërore, ku përkundet tragjizmi i historive si ajo e familjes Kadeli.

Në kampin e Tepelenës, ende pa belbëzuar fjalën e parë, u shua Pashka Kadeli 2-vjeçe dhe Marta, kushërira e saj që 2 javët e vetme në këtë botë i jetoi brenda rrethimit ku sundonte urrejtja, uria dhe sëmundjet. U shuan 600 të internuar të tjerë gjatë 4 viteve në kampin famëkeq të Tepelenës, ku u ngujuan në kushte ç’njerëzore gra, fëmijë e të moshuar.

Kush mbeti gjallë, këndoi këngën e vajit… dhe brenga e saj vazhdon deri sot, kur më duket sikur krijojnë melodinë e zërit të nënës sime; një brengë që na e kujton prore të shkuarën e dhimbshme. E këndoi edhe ajo këtë këngë se ishte aty për rreth dy vite, mes telave me gjemba të atij kampi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: