ELBASAN – Këshilli i qarkut Elbasan i ka dhënë çertifikatën “Mirënjohje e Qarkut Elbasan” peshëngritësit Hysen Pulaku. Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Këshillit të qarkut, z. Eugen Isaj, ka vlerësuar lart rolin elitar të peshëngritjes në shportin shqiptar. Mes të tjerash ai u shpreh se i vetmi sport që valëvit flamurin shqiptar në podet e të gjithë botës e na bën të ndjehemi krenarë, është peshëngritja dhe se janë peshëngritësit e klubeve të këtij qarku që e kanë lartësuar aq shumë atë.

Isaj ka shprehur mirënjohje për kampionët e klubeve në shkallë qarku në tërësi dhe për Hysen Pulakun në veçanti. Nisur nga rezultatet e fundit në Limasol të Qipros ai e ka cilësuar Hysen Pulakun një kampion bote që edhe më parë ka thyer rekorde ndërkombëtare. Ai ka vlerësuar shembullin e vëllezërve Pulaku, të cilët nuk kursyen asgjë që djemtë e tyre dhe ekipi që ata krijuan të arrijnë famë botërore. Ai ka falenderuar edhe ish-trajnerin e mirënjohur Ymer Ferhati I cili u mësoi këtyre djemve të ecin në udhën e kampionëve.

Më tej, kryetari i Qarkut ka falënderuar të gjithë ekipet e peshëngritjes së qarkut të Elbasanit, Peqinit dhe Shtërmenit që i kanë dhënë tonin peshëngritjes shqiptare. “Desha të falënderoj kampionë si vëllezërit Trasha, Haxhihysenin, Karinën, Tabakun, Godellin, Çaljen e dhjetëra të tjerë”, tha Isaj. Kryetari i Qarkut theksoi se Këshilli i Qarkut Elbasan do të bëjë përpjekje maksimale për të mbështetur këta sportistë.

Nisur nga rezultatet e arritura, por edhe objektivat që ka Hysen Pulaku në Botërorin e vitit që vjen në Amerikë dhe medaljen në Olimpiadën e Rio De Zhanieros që do të zhvillohet në Brazil në vitin 2016, Këshilli i Qarkut Elbasan i ka dhënë peshëngritësit Hysen Pulaku, çertifikatën “Mirënjohja e Qarkut Elbasan” me motivacionin “për kontribute të shquara në sportin e peshëngritjes, përfaqësues i denjë i Qarkut Elbasan”.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: