Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet Kampionati Europian i Peshëngritjes rezulton një dështim total për Shqipërinë.

Kuqezinjtë e shtangës nuk po arrijnë që të futen në zonën e medaljeve në eventin që po mbahet në Jerevan të Armenisë. Dje ishte radha për Daniel Godellin dhe Kristi Ramadanin, të cilët i mbyllën garat pa lënë gjurmë në kategorinë e peshave 81 kg. Godelli vazhdon serinë e rezultateve të dobëta në arenën ndërkombëtare, duke i dështuar të tria provat në stilin e shkëputjes, respektivisht me 150, 151 dhe 152 kg. Më pas në stilin e shtytjes nuk mori pjesë, për të mbyllur një Europian zhgënjyes në Jerevan.

Në të njëjtën peshë, por në Baterinë B dje konkurroi edhe Kristi Ramadani, i cili ndonëse larg zonës së medaljeve, bëri një paraqitje më të mirë. Ramadani regjistroi 142 kg në shkëputje, duke u klasifikuar në vend të nëntë. Në shtytje ngriti 175 kg për t’u klasifikuar i teti. Ndërsa me 317 kg e përfundoi dygarëshin në vendin e tetë. Kujtojmë se të martën në pedanë u ngjitën dy “big”-ët e shtangës shqiptare, nga të cilët ishin edhe pritshmëritë më të larta, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, në kategorinë e peshave 73 kg.

Calja nuk kaloi asnjë nga tri provat në stilin e shkëputjes, dy me 151 kg dhe të tretën me 152 kg, ndërsa nuk mori më pas pjesë në stilin e shtytjes. Ndërsa rezultatin më të lartë deri më tani në Jerevan nga kuqezinjtë e mban Qerimaj. Shkodrani, i cili e filloi nga Bateria B, e nisi stilin e shkëputjes duke kaluar me sukses fillimisht 145 kg dhe më pas 150 kg, ndërsa nuk arriti që të realizonte provën e tretë me 152 kg.

Kështu, me rezultatin 150 kg, Qerimaj u klasifikua i pesti në Europë në shkëputje. Ndërkohë, në stilin e shtytjes shkodrani regjistroi 168 kg duke u renditur në vend të 11-të, ndërsa me 318 kg ai e mbylli dygarëshin në vend të 10-të. Garat e Shqipërisë në Kampionatin Europian do të mbyllen sot me Krenar Shorajn. Vlonjati do të konkurrojë në Baterinë A në peshat 89 kg, me garën e tij që fillon në orën 15:30.

  • foto galeri
  • foto galeri

/PanoramSport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb