*Policia e Sarandës: Anija shqiptare ishte në vijën fundore të kufirit me Greqinë
NGA: ARBER SULO*
SARANDË- Një anije peshkimi nga Saranda është ndaluar nga roja bregdetare e Korfuzit, ndërsa ndodhej 2.1 milje larg bazës detare të marinës së Sarandës. Kapiteni dhe motoristi i anijes, Andri Mane dhe Aurel Shyle pretendojnë se janë fyer dhe kërcënuar nga pala greke, ndërsa ndodheshin në ujërat territoriale shqiptare. “Roja jonë bregdetare ishte pak më përpara në ujrat shqiptare dhe ne ishim në ujrash shqiptare. Ata na erdhën në bashin e anijes dhe me një gjuhë jashtëzakonisht të rëndë dhe filluan të ulërisnin, na thoshin se do t’ju marrim brenda. Ata thoshin se kishim shkelur ujërat. Na erdhën prapë pardje, por nuk ishte i njëtjti person që fliste sot.”, pohoi Aurel Shyle, motoristi i anijes “Mario 1”. Ndërkohë kapiteni i anijes, Andri Mane tha se: “Unë kam qenë në territorin e ujërave shqiptare. Kam pasur mbi gjysëm ore në krah dhe kam pasur kordinatat e sakta. Na erdhi roja greke para tri ditësh pasi pretenduan se ishim në ujërat e tyre dhe pasi panë koordinatat na kërkuan fjalje.


Vendndodhja e tyre konfirmohet edhe nga roja bregdetare shqiptare. Kanë qenë duke peshkuar në ujërat territoriale shqiptare, por janë ndaluar nga anija e rojës bregdetare greke. Ky është pretendimi që vjen nga një kompani, e cila administron anije peshkimi në Sarandë. Anija “Mario 1” mësohet se ishte duke peshkuar rreth 2.1 milje larg bazës detare të marinës së Sarandës, kur është ndaluar nga roja bregdetare e Korfuzit, me pretendimin se ishin shkelur ujërat. Kapiteni dhe motoristi i anijes pretendojnë se janë fyer dhe kërcënuar nga punonjësit e rojës bregdetare greke.

Ndërkohë administratori i kompanisë së peshkimit, Leonidha Qurku, kërkon ndërhyrjen e shtetit shqiptar, pasi thekson se ky është një incident dhe një rast i përsëritur. “Jemi brenda ligjit dhe rregullave, ndaj i kërkoj shtetit shqiptar që të qendrojë brenda ligjit dhe të interesohet që të zvgjidhet njëherë e mirë kjo punë. Pasi ne ushqejmë me këtë punë familjet”, tha ai. Incidenti ka mbledhur në portin e peshkimit në Sarandë punonjës të rojës bregdetare e policisë kufitare, të cilët pohojnë se përplasja ka ndodhur ndërsa anija shqiptare ndodhej në ujërat territoriale shqiptare.

MINISTRIA E MBROJTJES: NUK KA PASUR ANIJE GREKE NË UJËRAT TONA TERRITORIALE
Fill pas publikimit të lajmit, ka reaguar ministria e Mbrojtjes, e cila ka deklaruar se nuk ka pasur incidente mes anijes shqiptare dhe asaj greke. Në një deklaratë për mediat, MM ka hedhur poshtë pretendimet e anijes shqiptare “Mario 1”, ndërsa ka theksuar se nuk ka pasur anije greke në ujërat tona territoriale. MM theksoi se ekuipazhet e të dyja anijeve kanë komunikuar më njëra-tjetrën përmes ujërave respektivë dhe nuk ka patur shkelje të kufijve.

NJOFTIMII MM-SË
Sot rreth orës 10.45, anija P-117, e cila po kryente patrullimin në rajonin e Gjirit të Limonit, Sarandë, njoftoi sallën operacionale se kishte marrë thirrje nga peshkarexha “Mario-1”. Peshkarexha në fjalë pasi jepte koordinatat theksonte se një mjet i Rojes Bregdetare Greke e ka lajmëruar që ishte duke peshkuar në ujërat greke. Nisur nga kjo situatë, anija P-117 është urdhëruar të nisej menjëherë për në vendngjarje dhe ka mbërritur aty në orën 10.55. Në këtë orë anija e Rojes Bregdetare Greke ishte rreth 4 kabël nga peshkatorja dhe që lëvizte me kurs për në jug-perëndim drejt Korfuzit. Përsa më sipër, shtabi i Forcës Detare mori masa për menaxhimin e situatës dhe evidentimin e të dhënave të mara si nga personeli i shërbimit, ashtu dhe nga peshkatorja ‘’MARIO-1’’. Nga shqyrtimi i situatës dhe të dhënave të marra rezultoi se anija peshkatore ‘’MARIO-1’’ ndodhej në vijën fundore të kufirit, në ujërat territoriale shqiptare duke kryer aktivitet peshkimi. Po mbi bazën e këtyre të dhënave u konkludua gjithashtu se anija e Rojës Bregdetare Greke nuk ka qenë në kufijtë e ujërave territoriale shqiptare. Gjatë kryerjes së këtij operacioni Roja Bregdetare ka bashkëpunuar dhe me Policinë Kufitare, si dhe me oficerin civil të turnit të Inspektoratit të Peshkimit në QNOD.

POLICIA E SARANDËS: ANIJA SHQIPTARE ISHTE NË VIJËN FUNDORE TË KUFIRIT ME GREQINË
Policia e Sarandës në një njoftim për shtyp ka zbardhur incidentin e ndodhur sot, mes anijes shqiptare dhe rojës bregdetare greke. Sipas bluve, anija “Mario 1” i ishte në vijën fundore të kufirit dhe për këtë arsye pala grek njoftoi atë shqiptare. Nga ana tjetër këto burime bëjnë me dije se Policia Kufitare dhe Migracionit i ka tërhequr vëmendjen kapitenit të anijes së peshkimit.

NJOFTIMI I POLICISË
Sot rreth orës 10:50, në ujërat bregdetare në zonën Qefal – Himarë, u konstatua një anije peshkimi me flamur shqiptar, e cila ishte në vijën fundore të kufirit detar me Greqinë. Roja bregdetare e palës greke, njoftoi palën shqiptare se anija e peshkimit me emrin “Mario 1” e kompanisë “Fama” Sarandë, i ishte afruar kufirit detar të shtetit fqinj. Menjëherë strukturat e Policisë Kufitare në Sarandë kanë shoqëruar kapitenin e anijes së peshkimit në Komisariatin e Policisë Kufitare dhe Migracionit. Me qëllim respektimin e legjislacionit ndërkombëtar që rregullon kufijtë ujorë mes dy vendeve, Policia Kufitare ka marrë masat e nevojshme duke i tërhequr vëmendjen kapitenit të anijes së peshkimit.

(ed.me/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: