Kryeredaktori i gazetës Shqiptare Erl Murati, në studion e “News24” foli për investigimin e punës në doganën e Durrësit që ka vërtetuar korrupsionin kapilar në dogana.

Një investigim në të cilin News24 ka siguruar pamjet e disa rasteve të marrjes së ryshfetit të pastër në portin e Durrësit, ku përveç korrupsionit flagrant cenohet siguria kombëtare dhe interesat e ligjshëm të shtetit, duke i lënë në duart e subjekteve private vulat zyrtare.

“Rasti i një investigimi të mirëfilltë mediatik që vjen një ditë pas ditës kundër korrupsionit dhe deklaratës së ambasadores amerikane Yuri Kim për t’i shkuar deri në fund luftës kundër korrupsionit”, tha Murati.

Gjithashtu gjatë bisedës në studio ai tha se drejtësia që kërkojnë shqiptarët është shumë larg, nuk është e prekshme.

“Fenomeni i korrupsionit është lehtësisht i përhapur tek ne. Por nëse nuk ke mbrojtje nga lart është  e pamundur të kryhet kaq lehtësisht. Përgëzoj kolegët e News24 për investigimin por i takon organeve të drejtësisë të bëjnë transparencë. Por ky është një element që ka munguar gjithmonë tek ne. Edhe në rastet kur prokuroria ka mbyllur një dosje ne gjithmonë kemi parë që kanë ndërhyrë faktorë politikë dhe gjithçka është heshtur. Në vendin tonë  kemi parë artistë që janë shoqëruar në Prokurori , dikush ka bërë meremetim të një shtëpie të dëmtuar, por kemi raste të kullave dhe kateve pa leje, ku shihet një trajtim i diferencuar,. Kryeministri në mënyrë të qartë ka thënë se nuk merret ai me hetimin e kateve pa leje në sheshin Skënderbej.”, tha më tej Murati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb