Në një ditë të vetme, thuajse në të njëjtin minutë, dy legjionarët kuqezi, Gjimshiti dhe Ismajli dolën nga fusha të dëmtuar. Kapiteni kuqezi pësoi një të çarë të frikshme pak mbi vetullën e djathtë, një e çarë që i kushtoi 10 të qepura në spitalin e Udines, saktësoi klubi i Atalantës në buletinin mjekësorë. Dëmtimi i Berat Gjimshitit u përjetua si një dramë nga trajneri Gasperini pasi qendërmbrojtësi shqiptar nuk do të jetë në dispozicion për takimin kundër Juves:
“Për fat të keq e humbëm atë, ndërsa pjesa tjetër është thuajse e gjitha në dispozicion, mbase edhe Retegui dhe Cuadrado nuk do të jenë për Juven, ose të shtunën kundër Napolit”, u shpreh Gasperini.
Ndryshe nga Gjimshiti që pësoi një të çarë, Ismajli doli nga fusha si pasojë e një shqetësimi muskulor. Sipas mediave italiane bëhet fjalë për një tërheqje, por shkalla e dëmtimit nuk është përcaktuar ende.
Në këtë javë të Serie A u aktivizuan për disa minuta edhe dy legjionarët e tjerë kuqezi, Ylber Ramadani dhe Elseid Hysaj.
(BalkanWeb)