SHKUP- Në mbledhjen e përbashkët të Komitetit të përzier të deputetëve të Maqedonisë dhe atyre të BE-së, ku u diskutua rreth reformave të domosdoshme për integrimin e vendit në BE, theksi u vendos në referendumin e 30 shtatorit. Eurodeputeti Alojz Peterle theksoi se qytetarët duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të vendosur për të ardhmen e tyre.

Një mesazh të ngjashëm përcolli edhe ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, sipas të cilit është e rëndësishme të zbatohet marrëveshja me Greqinë, pasi marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga shtyllat e BE-së.

“Na vjen mirë që është hapur mundësia për progres në realizimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë. Këto ditë keni pasur shumë vizitorë, të cilat nuk i vlerësojmë si presion, por si shenjë të vëmendjes dhe tregues të pritjeve që vendi të ec përpara. Qytetarëve iu mbetet ta shfrytëzojnë këtë mundësi, nëse jo do të presin mundësi tjetër. Parlamentin e pret shumë punë me reformat, por besojmë se e ardhmja juaj do të jetë në linjë me pritjet tuaja”, tha eurodeputeti Alojz Peterle.

Zv.ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Andrej Zhernoski nga ana tjetër kërkoi unitet, pasi sipas tij referendumi është çështje mbipartiake dhe përkon me interesat strategjike të vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb