BERAT- Ai është optimist se jeta në qytetin e tij do të jetë më e mirë pas pak vitesh, kjo falë përkujdesit të qeverisë për t’i dhënë shumë hapësira në investime Beratit. Petrit Sinaj, me një eksperiencë në drejtimin e pushtetit lokal si kryetar i Qarkut të Beratit është kandidat i ASHE për bashkinë e qytetit dhe vjen me një plan konkret për tjetërsimin e Beratit të madh, duke e nisur me përmirësimin e ekonomisë, punësimin e deri te strategjitë për turizmin… Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Petrit Sinaj shprehet i bindur se beratasit do e votojnë për të, sepse votojnë për të ardhmen e garantuar të fëmijëve të tyre.

Ju vini nga një eksperiencë si kryetar i Qarkut të Beratit, jeni gati të menaxhoni bashkinë?
Sigurisht që jam i ndërgjegjshëm dhe i përgatitur të marr përsipër përgjegjësinë publike të drejtimit të bashkisë, sfidat që ka qyteti dhe komuniteti, i bindur dhe i angazhuar se do përfaqësoj qytetarinë, vlerat dhe pasurinë e çmuar që kanë krijuar brezat për ta kthyer Beratin në një kryeqendër të zhvillimit rajonal e kombëtar.

Sa i prekshëm apo i zbatueshëm është programi juaj për Beratin?
Projekti im është konkret dhe në akord me të gjitha strategjitë dhe studimet e kryera në bashkëpunim me partnerët, si dhe në sinkron të plotë me programin e qeverisë për Rilindjen e Shqipërisë. Ne jemi të përgatitur të realizojmë mbi 24 projektet e Planit Të Veprimit Për Turizmin si dhe mbi 192 projekte, që synojnë zhvillimin e ekuilibruar të territorit urban dhe të garantojmë harmonizimin e ekonomisë lokale, duke i dhënë kuptim dhe dimension real çdo zgjidhjeje konkrete që ka në thelb shërbimin për qytetarin, pa harruar cilësinë e qeverisjes dhe përkujdesjen për të gjithë brezat.

Cilat janë prioritetet tuaja për mandatin që do të merrni?
Ekonomia është dhe pika kryesore e programit ku do të punojmë për një rikonceptim të buxhetit, bazuar edhe në faktin e ndarjes së re territoriale. Ky rikonceptim do të thotë: Inventarizimi i të gjitha pronave publike në bashkinë e re dhe zgjerim i bazës së kontribuuesve të komunitetit të biznesit. Do të riformatojmë mënyrën e pagesës së taksave dhe tarifave sipas një skeme që ndihmon qytetarët të paguajnë kontributet në kohën më të mirë për ta dhe do të çlirojmë buxhetin nga shpenzime të pajustifikuara. Do të koordinojmë me qeverinë dhe gjithashtu me donatorët për zhvillimin e agropërpunimit, turizmit, kulturës, bujqësisë dhe blegtorisë. Sjellja në buxhet e donacioneve përmes projekteve që lidhen me financime të BE dhe institucioneve të tjera kombëtare e ndërkombëtare, që financojnë projekte dhe do të krijojmë lidhje më të forta partneriteti me biznesin në përgjithësi dhe atë fason në veçanti, që është një faktor shumë i rëndësishëm në ekonominë e Beratit si dhe do të ulim taksën për m2 për të gjithë biznesin.

Po për punësimin, keni ndonjë program konkret?

Me praktikat e uljes së taksave dhe tarifave për biznesin, me kushtin që biznesi të hapë sa më shumë vende pune do ta lehtësojmë këtë problem madhor, me qëllim definitiv punësimin të sa më shumë njerëzve. Në koordinim me Qeverinë shqiptare do të thithim sa më shumë paketa financiare për nxitjen e punësimit dhe do të koordinojmë me donatorë të ndryshëm për thithjen e iniciativave për nxitjen e punësimit. Po kështu, do të mbështesim financiarisht dhe nxisim çdo iniciativë private që synon hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e zonës, si dhe do të ulim taksat për biznesin e vogël dhe atë të mesëm në masën 30- 50%, duke nxitur më shumë punësim, më shumë shërbime.

Berati thith çdo vit turistë, pastaj ju keni dhe mjaft zona interesante, si do ta zhvilloni këtë sektor?
Për vetë vlerat muzeale, arkitekturore që paraqet, qyteti ynë fiton përparësi kundrejt të gjitha pikave të tjera të programit. Trashëgimia e Beratit tashmë është vlerësuar maksimalisht, pasi Berati është në listën e trashëgimisë botërore (UNESCO). Turizmi do të jetë një nga kolonat e rimëkëmbjes ekonomike dhe për këtë do të mundësojmë krijimin e Zyrës së Interpretimit Turistik, rehabilitimin e Kalasë Berat, Faza II (vlera 1.7 milionë euro, me financim të KE), rehabilitimin e të gjitha zonave të mbrojtura si Gorica dhe Mangalemi, zhvillimin dhe kategorizimin e bizneseve turistike. Ndërkaq, për shfrytëzimin e qendrës historike e sidomos kalanë, do të përmirësohet transportin publik, si dhe krijimi i parkingjeve për automjetet e turistëve. Siç e thatë edhe ju, ne kemi mjaft zona ku mund të bëhet zhvillimi i agroturizmit, ekoturizmit dhe turizmit të aventurës. Do të promovojmë Parkun Kombëtar të Tomorit, si një zonë ende e pashfrytëzuar dhe sigurimi i këtij parku me infrastrukturë të nevojshme për ta kthyer në një pikë referimi të turizmit.

Kthimi në një qendër turistike të rëndësishme ka nevojë edhe për infrastrukturë, cilat janë synimet tuaja?
Punën në infrastrukturë do e nisim me rrugët e brendshme, pasi ato janë shumë të dëmtuara, por me fondet e bashkisë, mbështetjen e qeverisë dhe donatorëve do të përmirësojmë ndjeshëm infrastrukturën në qytet dhe në 50 fshatrat e bashkisë së re. Do të ndërtojmë KUZ në çdo lagje dhe fshat, ku nuk është ndërhyrë deri tani apo nuk kanë qenë funksionalë dhe do të asfaltojmë të gjitha rrugëve kryesore dhe dytësore në qytet e në fshat, si dhe shtrimi i të gjitha rrugicave në qytet dhe në fshatra të ndryshëm me kalldrëm (aty ku përshtaten). Po kështu, një domosdoshmëri tjetër e infrastrukturës së Beratit për të qenë i realizueshëm është dhe bajpasi i tij (tuneli në Goricë dhe Ura e Re që lidh Bilçën me Uznovën). Prioritet do të jetë sistemi i shpërndarjes së ujit të pijshëm, duke përfshirë edhe fshatrat e komunave Otllak, Velabisht, Sinjë dhe Roshnik si dhe rikonstruksioni i të gjitha shkollave, kopshteve, çerdheve dhe qendrave shëndetësore dhe pajisja e tyre me bazë materiale të kohës, që akoma nuk janë bërë.

Sa vend zë programi i arsimit në programin tuaj?
Arsimi sjell zhvillim, ndaj ne jemi të fokusuar në nxitjen e stimulimin e të rinjve për shkollim, ndërsa ne si bashki do të ofrojmë rikonstruksionin e Posti elektoral i Petrit Sinajt, kandidat i ASHE për Bashkinë e Beratitvendeve të dijes. Në këtë kuadër ne do të japim bursa për nxënësit ekselentë, do të sigurojmë sistemin e ngrohjes për të gjitha shkollat e bashkisë së re, atje ku mungojnë. Bashkia, me rastin e festave të fundvitit do japë shpërblim për të gjithë stafin pedagogjik, ndërkaq që nga fondi i bashkisë do të jetë një zë i veçantë për çdo shkollë, i cili do të jetë në dispozicion për t’u administruar nga drejtoria e shkollës. Pra, për ta përmbledhur, ne do të shtojmë buxhetin për sportin, kulturën, arsimin në masën deri 50%.

Beratit me ndarjen e re i bashkohen shumë fshatra, keni ndonjë projekt konkret?
Bujqësia është mjaft e rëndësishme në zonën e Beratit, ndaj qëllimi kryesor është t’i ofrojmë fshatit infrastrukturën e nevojshme. Ndërtimi dhe rindërtimi i një sistemi funksional të ujitjes dhe kullimit në Bashkinë e re të Beratit është primar, po kështu vënia në funksion e tregut të Moravës, si një treg rajonal për grumbullimin, magazinimin, konservimin dhe tregtimin e të gjitha produkteve bujqësore dhe blegtorale si dhe ndërtimi i tregjeve të reja për këto produkte në pika strategjike hyrëse dhe dalëse të qytetit, që të lidhen në mënyrë funksionale dhe organike ish-komunat me qytetin.

Mendoni se të qenurit pjesë e ASHE do të ndikojë në realizimin e shpejtë të projekteve që do të ketë Berati?
Sot Berati dhe bashkia që unë do të drejtoj është një prioritet i qeverisë, sepse qyteti ynë i harruar për dekada është aset i çmuar i kulturës dhe i trashëgimisë, qendër e rëndësishme kombëtare, ku në katër vitet e ardhshme do të realizohen projekte madhore urbane, turistike, arsimore, kulturore, sportive në dobi të mirëqenies sociale dhe cilësisë së jetës. Programi ynë ka mundësi reale për të implementuar dhe bërë realitet 7 (shtatë) kolonat e programit tonë, mbi të cilat do të bazohet zhvillimi ynë i qëndrueshëm, cilësor e modern i Beratit, shtëpisë sonë të përhershme. Bashkëpunimi ynë me qeverinë duket qartazi, sepse në këto 20 muaj qyteti ynë është transformuar rrënjësisht me investimet publike të realizuara kudo dhe me mbi 20 projekte të financuara nga qeveria, bashkia, donatorët etj.

Jemi në drejtimin e duhur dhe për këtë flasin punët, jo fjalët apo premtimet boshe. Si i parashikoni zgjedhjet?
Jam i sigurt se më 21 qershor Berati do votojë për koalicionin gjithëpërfshirës të ASHE-së, për perspektivën e zhvillimit urban të Beratit, për të ardhmen tonë të përbashkët dhe të fëmijëve tanë. Fitorja plebishitare më 21 qershor do të jetë më e thellë se ajo e vitit 2013 dhe do të shërbejë si garancia e realizimit të një qeverisjeje të suksesshme lokale dhe zbatimit të programit tonë për katër vitet e ardhshme.

Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Beratit?
Votoni programin më të mirë për Beratin. Unë e kërkoj votën tuaj, si një votë për të ardhmen tuaj, si një votë për qytetarinë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: