Nënkryetari i LSI Petrit Vasili ka folur sot për mediat duke u fokusuar tek industria fasone si një nga bazat e ekonomisë në vend. Vasili prezantoi pikat e programit elektoral të LSI-së, teksa tha se biznesi fason ka humbur mbi 20 e ca mijë vende pune, pasi nuk iu dha asnjë ndihmë e domosdoshme dhe asnjë mbështetje, edhe në kohët shumë të vështira të pandemisë.

Sipas Vasilit, është momenti për tu ringritur dhe ndihma duhet të jetë konkrete, e drejtpërdrejtë, e shpejtë në mënyrë që këto dhjetëra mijëra vende të rikuperohen e për shkak edhe të hapësirave edhe rezervave të mëdha që ka ky sektor në Shqipëri, dhe Shqipëria si ambient ekonomik, ky të zgjerohet gjithmonë e më shumë e të ecë përpara.

“Një nga plagët më të mëdha të Shqipërisë së sotme është papunësia dhe sigurisht një nga përgjigjet më kryesore që duhet të japë politika është pikërisht punësimi.
E një sektor gjenerator punësimi ka qenë dhe vazhdon të mbetet industria fasoniste. Sigurisht kjo sfidë për ta mbajtur këtë industri në këmbë dhe për të krijuar hapësira punësimi, pasi kjo industri ka punësuar dhjetëra e mijëra shqiptarë të niveleve, të shtresave më të zakonshme, më të varfra të Shqipërisë, kjo sigurisht kërkon edhe një ndihmë konkrete.
Prej vitesh Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbështetur fuqimisht një qasje të re, një mbështetje rrënjësisht të rëndësishme nga ana e shtetit që ajo të zhvillohej, por e kundërta ka ndodhur.
Që nga viti 2014, kur ne kemi ndërmarrë iniciativa të njëpasnjëshme në këtë drejtim, ato janë sabotuar me ndërgjegje dhe me vetëdije të plotë, në emër të interesave të tjera, në emër të interesave të oligarkisë e të gjithë të tjerave, nga Rilindja, duke mos i krijuar hapësira, por duke i krijuar probleme edhe më të mëdha.
Është fakt publik që sot biznesi fason ka humbur mbi 20 e ca mijë vende pune, pasi nuk iu dha asnjë ndihmë e domosdoshme dhe asnjë mbështetje, edhe në kohët shumë të vështira të pandemisë.

Është momenti për tu ringritur dhe ndihma duhet të jetë konkrete, e drejtpërdrejtë, e shpejtë në mënyrë që këto dhjetëra mijëra vende të rikuperohen e për shkak edhe të hapësirave edhe rezervave të mëdha që ka ky sektor në Shqipëri, dhe Shqipëria si ambient ekonomik, ky të zgjerohet gjithmonë e më shumë e të ecë përpara.
Në mënyrë konkrete, pikat e programit tonë elektoral, por program qeverisës nesër dhe një detyrim qeverisës i patjetërsueshëm do të jenë këto elemente themelore, të cilat janë formësuar përfundimisht në programin tonë si një detyrim politik”, deklaroi Vasili.

Disa nga pikat e programit të LSI, sipas Vasilit janë ristrukturimi i fazuar i industrisë fason sipas kërkesave të tregut vendas dhe konjukturave të reja të tregut ndërkombëtar; mbështetja e industrisë fason për të kaluar në produktin e integruar “Made in Albania”; mbështetja tek prodhimi vendas duke konsumuar produkte vendase dhe mbështetja me grande e fonde të Bashkimit Evropian, në bazë të projekteve,

“Së pari: Ristrukturimi i fazuar i industrisë fason sipas kërkesave të tregut vendas dhe konjukturave të reja të tregut ndërkombëtar. (Investime në teknologji, në prodhim imputesh, know-how), duke akorduar një mbështetje dhe një subvencion prej 30 milionë euro në 2 vitet e para, si një masë emergjente, e drejtpërdrejtë.
Së dyti, mbështetja e industrisë fason për të kaluar në produktin e integruar Made in Albania. (Dizajn, brande, marketing, promocion produkti dhe panaire, certifikime dhe mbështetje institucionale), e cila kërkon një mbështetje prej 20 milionë euro të shpërndarë në katër vjet, e cila krijon një boom të jashtëzakonshëm të ri të kësaj industrie.
Së treti, mbështetja tek prodhimi vendas duke konsumuar produkte vendase fillimisht entet publike që prokurojnë veshje dhe këpucë. Pra, kemi parasysh tenderët dhe prokurimet publike për veshje e këpucë për gjithë periudhën e qeverisjes, ndërkohë që këto produkte janë të nivelit evropian, me çmime shumë kompetitive dhe njëherazi i jepet një spunto, njëherazi edhe punësimit dhe rritjes së nivelit ekonomik të vendit.
Së katërti, mbështetja me grande e fonde të Bashkimit Evropian, në bazë të projekteve, duke përdorur një analogji mënyre të zhvillimit të tyre, ashtu sikurse funksionon sot AZHBR-ja, duke përdorur pra praktikat më të suksesshme, më të shpejta dhe më të drejtpërdrejta.
Së pesti, heqja dhe lehtësimi i barrierave doganore për lëndët e para, për prodhimet e destinuara për tregun vendas.
Së gjashti, krijimi i instrumentit garantues dhe realizues për këtë qëllim dhe për të gjithë këtë veprimtari që do ishte Agjencia e Industrisë veshje-këpucë. Agjenci kjo e veçantë, operative, për implementimin dhe monitorimin shumë të kujdesshëm dhe efektiv të këtij programi”, tha Vasili.

Ai theksoi se është e qartë që mbështetja financiare dhe politikat konkrete në këtë industri janë një para e investuar me efektivitet të lartë, është një shpenzim shumë i vogël, minimal i buxhetit, por një investim që krijon vlerë të shtuar, qoftë në ekonominë e vendit, sjell rritjen e GDP-së, por mbi të gjitha vazhdon të ruajë industrinë fasone si një gjenerator të vërtetë punësimi.

“Janë mijëra e mijëra familje, të cilat kanë garantuar dhe garantojnë mbijetesën e tyre minimale falë të ardhurave dhe pagave qe marrin në sektorin fason, të cilët me rritjen dhe me zhvillimin e tyre, i mundësojnë këtij sektori edhe rritjen e mëtejshme të nivelit të pagave, duke shkuar gjithmonë e më shumë tek paga që u afrohen gjithmonë e më tepër nevojave dhe mundësive të punonjësve që punojnë në këtë sektor.
Njëherazi u jepet mijëra njerëzve mundësia për t’u rritur e kualifikuar profesionalisht e për të qenë të mundshëm për tu futur në tregun e punës, edhe në sektorë të tjerë.
Ne do ta ndjekim me shumë këmbëngulje këtë paketë, sot dhe nesër, duke arritur atë vijimësi të qasjes sonë politike dhe programore ndaj këtij sektori dhe 25 Prilli do të jetë mundësia reale, e vërtetë që ky sektor të dalë nga errësira dhe të ecë përpara ashtu sikurse i takon dhe sikurse janë mundësitë shumë të mëdha të tij për t’i ardhur në ndihmë mijëra shqiptarëve, por edhe ekonomisë së vendit.
Më 25 prill pra t’i japim hapësirë dhe mundësi këtij programi për fasonët, për ta bërë një realitet të prekshëm për shqiptarët”, tha Vasili.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb