Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama për mbrojtjen e të dhënave personale duke mos përdorur VPN.
Vasili e akuzon Ramën si “kryehajdut të të dhënave personale”, duke thënë se ai po përpiqet të mashtrojë shqiptarët me këshilla për të mos instaluar VPN-të.
Vasili shkruan se Rama ka nxjerrë miliona të dhëna personale të shqiptarëve, duke përfshirë numra telefoni, adresa dhe informacione të tjera sensitive, dhe se këto të dhëna i ka dhënë patronazhistëve për të përfituar vota. Ai thekson se ky veprim është një shkelje e rëndë e privatësisë së qytetarëve.
“Rama po na thotë se mos instaloni VPN-të, sepse do na marrin të dhënat personale, ndërsa ai vetë i vjedh ato dhe i përdor për qëllime politike,” shkruan Vasili.
Ai përfundon duke inkurajuar qytetarët të përdorin VPN dhe të hapin TikTok-un për të shikuar atë që dëshirojnë, duke e cilësuar situatën si një shembull të keq të qeverisjes nga ana e Ramës.
(BalkanWeb)