TIRANE – Tirana duhet të presë ende për të shijuar fitoren në derbin ndaj Partizanit. Bardheblutë e Ilir Dajës u mundën sërish 2-0 nga Partizani në “Qemal Stafa”. Takimi i luajtur një ditë më parë ka folur i gjithi për ekipin e kuq, të cilët kanë qenë edhe njëherë triumfues.

Si tifoz i Tiranës, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili u shpreh i zhgënjyer, duke i bërë thirrje Bashkisë së Tiranës që të reflektojë, në mënyrë që kryeqyteti të ketë skuadrën dinjitoze që meriton.

“Ashtu si bashkëtifozët e mi të Tiranës, ndihem i zhgënjyer. Futbolli i Tiranës është lënë pas dore nga bashkia. Kryeqyteti meriton një skuadër dinjitoze. Bashkia si aksionere është larg detyrimeve që ka. Duhet të ketë një reflektim urgjent nga ana e Bashkisë së Tiranës. Këshilltarët bashkiakë duhet të reagojnë për këtë situatë pasi jeta e kryeqytetit është e varfër pa futbollin. Duhet që të respektohet tradita dhjetëra vjeçare e Sport Klub Tiranës.”- deklaroi Vasili.

Edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi konsideron se ekipi i Tiranës nuk ka marrë mbështetjen e  duhur nga Bashkia. Sipas tij, është e papranueshme, që Bashkia e Tiranës nuk ka dhënë asnjë fond për ekipin.

“Është e papranueshme që Bashkia e Tiranë si bashkëaksionere e Klubit Tirana të mos japë asnjë fond për Tiranën. Tirona është krenaria e kryeqytetit e meriton vemendjen e Bashkisë. Bashkohem me shqetësimin e Z .Vasili dhe do i kerkojmë këshilltarëve të PDIU në Këshilli Bashkiak të ngrenë këtë çështje.”- deklaroi Idrizi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: