TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza, ka reaguar për incidentin mes deputetit, Taulant Balla dhe dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha. Në një deklaratë për mediat, Peza tha se ky është një akt i pastër politik, ndërsa i bën thirrje prokurorisë dhe policisë të hetojnë në mënyrë të pavarur.

Peza i kërkon Kuvendit të dënojë me ashpërsi këtë akt, pasi tha se me dhunën ndaj Ballës u godit edhe grupi i PS ‘për të ulur ritmin e reformave dhe për të frenuar luftën tonë kundër krimit e kriminelëve’.

“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, dënon me ashpërsinë maksimale aktin e rëndë kriminal të Jamarbër Malltezit, anëtar i Kryesisë së PD dhe bashkëshortes së tij, Argita Berisha, ndaj deputetit Taulant Balla në Aeroportin e Romës.

Incidenti i rëndë i ndodhur në zemrën e kryeqytetit të një vendi anëtar të BE dhe dhuna e ushtruar ndaj Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PS, është një akt i pastër politik për shkak të funksioneve dhe veprimtarisë së tij politike. Por, edhe për shkak të luftës së pakompromis dhe qëndrimeve të qarta politike që kolegu ynë ka mbajtur në vijimësi kundër krimit dhe korrupsionit.

Goditja e rëndë fizike ndaj Taulant Ballës në territorin italian, ka qenë e parapërgatitur, e befasishme, e pabesë, e kryer me koshiencë të plotë dhe pasojë e një lufte të paprinciptë verbale ndër vite të familjes Malltezi & Berisha, ndaj tij.

Ndaj sot, i bëjmë thirrje Partisë Demokratike që të dënojë dhe të distancohet qartë dhe prerë, nga ky akt i paprecedent në historinë e pluralizmit shqiptar.

Goditjen ndaj Taulant Ballës, ne e konsiderojmë një goditje edhe ndaj të gjithë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të ulur ritmin e reformave të thella ku jemi përfshirë, si dhe për të frenuar luftën tonë politike kundër krimit dhe kriminelëve, korrupsionit dhe të korruptuarve.

Partia Socialiste i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të dënojë me ashpërsinë që meriton, këtë akt të rëndë kriminal ndaj një ligjvënësi të saj dhe ti bëjë thirrje palës dhunuese që ti thërrasë koshiencës së saj politike, për ta rikthyer jetën dhe ballafaqimin politik mes palëve, në hullitë e arsyes dhe metodave demokratike.

Grupi ynë parlamentar, i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që të angazhohen në nje proces hetimor të paanshëm, profesional dhe të shpejtë, në bashkëpunim edhe me agjensitë ligjzbatuese italiane, për t’i shkuar deri në fund të vërtetës dhe për ti dhënë ndëshkimin e merituar fajtorëve”, tha Peza.

Por lidhur me këtë deklaratë ka reaguar deputeti demokrat Arben Ristani. Sipas tij, deklarata e Pezës u bë “për të mbrojtur shpifësin profesionist, Ballën”.

Sipas Ristanit, Balla sajon ngjarje për të harruar krimin dhe aferat qindra miliona euroshe.

“Gjetje tipike rilindase, per temperaturat 40 gradeshe, deklarimi per medjat i Alfred Pezes, per te mbrojtur veglen me te bindur te Edi Rames, veglen me te paturp, me te neverituren ne publik, shpifsin profesionist, T.Ballen. Ky kryeminister qe nuk u distancua asnjehere, as nje dite te vetme, nga Rroshi, nga Shullazi, nga Balili, nga qindra bandite te tjere, qe jo vetem jane te tille, por dhe e treguan me vepra, si Prenga me shoke.

Ky strehë dhe promovues i krimit te veshur me pushtet, ben thirrje per distancim nga trillimi per gjoja goditjen e Balles. Meqenese dizenjimi i bluzes se kombetares nuk i solli perfitimet qe priste, kerkon me zor te sajoje nje ngjarje qe njerezit te harrojne varferine ne skaj, krimin ne pushtet, dhe aferat e tij te perditshme qindra milione euroshe.

Nuk te shpeton dot mashtruesi tao, as si qaraman, as si trim, as si sekser. Kur njerezit nuk kane mundesi te hane sot as djathe, harroje se do hane sapunin tend”, thuhet në reagimin e Ristanit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: