TIRANE-Sekretari për Organizimin Dixhital në Partinë Socialiste, Alfred Peza, ka sqaruar dje për herë të parë përgjegjësitë dhe funksionimin e kësaj strukture. Sipas tij shtylla e Sekretariatit do jenë të dhënat e partisë, komunikimi i brendshëm i socialistëve dhe komunikimi me mediat. Peza ka bërë me dije se Sekretariati Dixhital do të sjellë risi në organizimin e përditshëm të PS-së duke sjellë si shembull mbledhjet e kryeministrit njëherazi kryesocialistit, Edi Rama me krerët e Bashkive përmes videokonferencës.

Sipas tij Sekretariati Dixhital por do të sjellë edhe më shumë vëmendjen ndaj simpatizantëve, të cilët do të marrin një mesazh urimi të personalizuar në telefonin e tyre nga kreu i PS-së, Edi Rama. Sekretariati Dixhital është një strukturë e re për spektrin politik shqiptar, por sipas Pezës jo e panjohur për partitë e Internacionales Socialiste. Deputeti socialist sqaron se ngritja e këtij Sekretariati erdhi si përgjigje e realitetit të ri, që tregon se më shumë se 50 përqind e shqiptarëve informacionin e marrin nga mediat online.

KOMUNIKIMI
“Kolona e parë është ‘kasaforta’ e të dhënave të partisë që përbëhet nga regjistri elektronik i anëtarësisë së partisë, nga listat e votuesve dhe nga listat e burimeve njerëzore dhe të dhënave lidhur me to. Kolona e dytë është komunikimi i brendshëm i PS. PS duke shfrytëzuar teknologjitë dixhitale të informimit do të ketë një rrjet të brendshëm komunikimi nga kryetari i partisë deri tek anëtari i partisë në zonën më të largët të vendit. Dhe kolona e tretë, është komunikimi i jashtëm që është komunikimi me mediat, opinionin publik dhe të gjithë ata qytetarë shqiptarë që na votojnë ose jo, që jetojnë brenda ose jashtë territorit të Shqipërisë”, – ka sqaruar Peza në një intervistë për “Ora News”.

VIDEOKONFERENCA
Falë ngritjes së Sekretariatit Dixhital në PS, Peza thotë se do të përforcohet dhe shpejtohet komunikimi mes lidershipit të partisë dhe strukturuave, duke dhënë si shembull mbledhjen e kreut të PS-së me krerët socialist të bashkive përmes vidookenfoerencës. “Është i menjëhershëm dhe ajo mbledhje që deri dje bëhej në praninë e të gjithë njerëzve, por për të cilën konsumohej shumë kohë, shumë energji, shumë karburant dhe elementë të tjerë, mund të bëhet fare mirë brenda një momenti me të gjithë anëtarësinë”, – ka sqaruar Peza për “Ora News”.

MESAZHET
Sipas tij futja e teknologjisë në komunikimin politik brenda PS-së do të sjellë edhe më shumë përkushtim për simpatizantët e partisë. “Gjatë ditës së sotme mund të kenë ditëlindjen 274 anëtarë dhe simpatizantë të PS në të gjithë Shqipërinë. Nga 100 e ca mijë anëtarë dhe simpatizantë që kemi dhe kryetari i PS mund t’i dërgojë një mesazh brenda një çasti të gjithëve”, – ka sqaruar Peza.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: