TIRANË- Partia Socialiste, përmes deputetit Alfred Peza, ka reaguar sot ndaj akuzave të opozitës për deputetin Armando Prenga, si dhe bojkotin e deputetëve të PD-së pas rikthimit të tij në Kuvend. Peza thotë se Prenga është përjashtuar nga PS që ditën kur u përfshi në konfliktin famëkeq të Laçit.

“Ne nuk pritëm as prokurorinë, as gjykatën për ta përjashtuar deputetin nga radhët tona, ndërkohë që Partia Demokratike të ndaluarit dhe të dënuarit e radhëve të saj për korrupsion i ka shpallur të persekutuar politikë”, deklaroi deputeti Peza.

Qytetarët, tha ai, dinë ta bëjnë dallimin e të kuptojnë se kush do shtet e kush do sherr”. “Kush i trajton njësoj të gjithë kur shkelin ligjin dhe kush i bën të gjithë kundërshtarët e vet hajdutë, ndërsa hajdutët e vet, heronj; kush do drejtësi dhe kush është duke i ikur në mënyrë të vazhdueshme drejtësisë”, deklaroi përfaqësuesi i PS-së.

Duke mbështetur nevojën e reformimit të drejtësisë, Peza tha se ndërsa po afron dita që kjo reformë të votohet, opozita po fillon sërish avazin e vjetër të bojkotit. “Kjo është e qartë, mazhoranca e do reformën në drejtësi, kurse opozita kërkon me çdo kusht ta pengojë atë”, deklaroi deputeti Peza.

DEKLARATA E PLOTË E PEZËS
U bë e disata ditë që deputetë të Partisë Demokratike hedhin akuza për çështje dhe vendime që i takojnë ekskluzivisht gjyqësorit.

Por faktet janë të qarta. Kjo mazhorancë qysh në fillim të herës ka folur për nevojën që drejtësia shqiptare të reformohet. Kur mazhoranca punonte për reformën në drejtësi, opozita bojkotonte parlamentin. Dhe tani që po afron dita që reforma në drejtësi të votohet, opozita po fillon sërish avazin e vjetër të bojkotit. Përse?
Sepse është e qartë: Mazhoranca e do reformën në drejtësi, kurse opozita kërkon me çdo kusht ta pengojë atë.

Mazhoranca e sheh si problem sistemin e drejtësisë, kurse opozita është e kënaqur me të, për sa kohë refuzon reformën.

Pyetja është:
Kush e kontrollon gjyqësorin, mazhoranca që do ta reformojë dhe ndryshojë sistemin, apo opozita që po bën çmos qe sistemi të mos ndryshojë.

Kush i kontrollon gjyqtarët, mazhoranca që kërkon t’i kalojë ata në sitë për të larguar të korruptuarit, apo opozita që i ka emëruar vetë pjesën dërrmuese të tyre e që sot kërkon t’i mbrojë duke i mbajtur në detyrë.

Kurse sa i takon rastit të Armando Prengës, faktet flasin shumë qartë.
Armando Prenga është përjashtuar nga Partia Socialiste qysh ditën që u gjend i përzier në konfliktin famëkeq të Laçit.

Ne nuk pritëm as prokurorinë, as gjykatën për ta përjashtuar deputetin nga radhët tona, ndërkohë që Partia Demokratike të ndaluarit dhe të dënuarit e radhëve të saj për korrupsion i ka shpallur të persekutuar politikë.

Qytetarët dinë ta bëjnë dallimin e të kuptojnë se kush do shtet e kush do sherr;
kush i trajton njësoj të gjithë kur shkelin ligjin dhe kush i bën të gjithë kundërshtarët e vet hajdutë, ndërsa hajdutët e vet, heronj; kush do drejtësi dhe kush është duke i ikur ne mënyrë të vazhdueshme drejtësisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: