TIRANË- Deputeti socialist, Alfred Peza ka  deklaruar nga studio e Opinion në News24 se Partia Socialiste do të çojë për ndjekje penale ish-kryeministrin Sali Berisha. Peza i ka quajtur thirrje anti-kushtetuese deklaratat e Berishës në seancën e kaluar plenare, ndërsa vendimin e grupit të PD për bojkot një zyrtarizim të deklaratave të tij.

“Ky vendim në leximin tim nuk është gjë tjetër vetëm një konfirmim zyrtar i qëndrimit të Berishës. Nuk është më lajthitje e Berishës, por qëndrim zyrtar i PD. Me këtë vendim, PD deklaron se nuk është qëndrim emocional, por qëndrim zyrtar. PD duhej të distancohej nga deklaratat e Berishës. Thirrja e Berishës janë thirrje anti-kushtetuese. Dënohen me 13 vjet heqje lirie. Do kërkojmë ndjekje penale për deklaratat e tij. Do bëhet në orët në vazhdim, sot, nesër. Këto gjetje që u argumentuan edhe në vendimin e Byrosë, do të jenë edhe baza e argumenteve për t’i kërkuar Prokurorisë hetimin e Berishës. Prokuroria duhet të ishte vënë në lëvizje”, ka thënë Peza.

Duke folur për ndryshimet në PS dhe të zgjedhurit e rinj në Kryesi e sekretariate, Peza deklaroi se mbledhja e sotme e grupit shënon edhe fillimin e punës konkrete.

“Ka përfunduar ristrukturimi i plotë i PS. Do të ketë garë për kryetarë të rinj në bazë të ndarjes administrative-territoriale. Nuk do kenë poste të tjera përveç pozicioneve që do paguhen në parti. Kështu do funksionojë edhe në vazhdimësi. Takimi sot ishte një takim i parë pas zgjedhjeve. Ishte një takim, ku fillon edhe puna konkrete për çdo sekretariat”, tha ai.

Ai foli edhe për objektivin e PS për anëtarësimet e reja. “Ne kemi qenë në një fushatë për anëtarësimet e reja. Po zhvillohet edhe një garë tjetër për anëtarësimet në FRESSH. Një nga elementët e bërë publikë është FRESSH Voice, si një mundësi për të angazhuar të rinjtë. 5000 të rinj i janë përgjigjur thirrjes. Anëtarësimet pritet të kulmojnë në 25-vjetorin e PS-së. Objektiv të bëhen 150 mijë anëtarë në forume”, u shpreh Peza.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: