Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar, pasi ngrirjes së fondeve amerikane në vendin tonë për 90 ditë.

“Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së.

Më tej, thuhet se BE ka qenë dhe mbetet e përkushtuar ndaj reformës në drejtësi në Shqipëri. “Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve”, thuhet më tej.

Delegacioni i BE nënvizon se reforma në drejtësi ka dhënë rezultate të prekshme.

Reagimi i Delegacionit të BE në Shqipëri:

“• Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.

* BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.

* Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve.

* Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.

* Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.

* SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb