Presidenti i Turqisë Rexhep Tayyip Erdogan, në një deklaratë për mediat ditën e sotme u shpreh se Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për marrëveshjen e eksportit të grurit në Detin e Zi, pavarësisht hezitimit rus.

“Edhe nëse Rusia sillet me hezitim sepse nuk mori të njëjtat përfitime, ne do të vazhdojmë me vendosmëri përpjekjet tona për t’i shërbyer njerëzimit”, u shpreh Erdogan.

Kujtojmë që Moska fajësoi Kievin për një sulm në flotën e saj të Detit të Zi dhe ditën e shtunë Rusia u tërhoq nga një marrëveshje për të lejuar dërgesat e grurit ukrainas për një “afat të pacaktuar”.

Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të ushqimit në botë dhe një bllokadë ruse e dërgesave të drithërave ukrainase shkaktoi një krizë globale ushqimore në fillim të këtij viti.

Deklaratat e Erdoganit erdhën pasi Rusia të shtunën njoftoi pezullimin e saj nga marrëveshja e eksportit të drithit në Detin e Zi të ndërmjetësuar nga OKB .

Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje më 22 korrik në Stamboll për të rifilluar eksportet e drithërave të Detit të Zi , të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt. Një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tre vendet dhe OKB është ngritur në Stamboll për të mbikëqyrur dërgesat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb