TIRANË- Mbi 300 telefonata e mesazhe në telefonin e një gruaje kanë qenë të mjaftueshme për gjykatën që të vendosë pezullimin e gjyqtarit të Beratit, Shyqyri Çobo i cili akuzohet për korrupsion pasiv në formën e kërkimit të favoreve seksuale.

Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtarin Çobo.

Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga shtetasja I.T. pranë Policisë Vendore, Berat.

Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kallëzuesja ka qenë palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Në seancën e parë të atij procesi, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë arsye, ata shkëmbejnë numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari i dërgon mesazh në telefon kallëzueses, ku, pasi e njofton për gjetjen e një avokati, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”.

Në vijim, nga këqyrja e aparateve dhe tabulateve telefonikë, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen. Kjo e fundit, megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e frikësuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë.

Për këtë arsye, shtetasja I.T. i është shmangur në çdo kohë gjyqtarit dhe e ka kallëzuar atë pranë Policisë Vendore, e cila e referoi rastin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka realizuar këqyrjen e telefonave, nga të cilët ka rezultuar se për një periudhë gati 3-mujore para kallëzimit, gjyqtari Çobo kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të lartë mesazhesh me tekst.

Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari konstatohet qartë tendenca e tij për të bindur kallëzueses që të krijonin një lidhje intime.

I pyetur si person nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuari e ka mohuar faktin se mesazhet e tij kanë pasur si qëllim kërkimin e favoreve seksuale dhe se nuk ka pasur raporte jashtëgjyqësore me të pandehurën.

Por, nga provat e administruara gjatë procesit hetimor, rezulton e provuar se shtetasi Shyqyri Çobo ka tentuar për një kohë të gjatë të krijojë lidhje intime me kallëzuesen, e cila ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij në Gjykatën e Beratit.

Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se gjyqtari Shyqyri Çobo ka konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit….”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurimit “pezullim nga detyra”. Gjykata për Krime të Rënda pranoi këtë kërkesë ditën e Mërkurë, në dt. 29.06.2016.

MESAZHET
sonila

Nga dosja e prokurorisë së Krimeve të Rënda ka rezultuar se gjyqtari Shyqyri Çobo ka tentuar të joshë për raporte intime gruan, duke i garantuar se lidhja me të do të ishte një luks për nënën e sapodivorcuar 32-vjeçare.

“Boldnews.al” ka siguruar disa prej mesazheve erotiko-filozofike që gjyqtari Çobo i dërgonte shtetases I.T., me qëllimin për ta bindur që të krijonin një lidhje dashurore.

Gjyqtari dhe I.T., e cila ka depozituar më pas kallëzimin ndaj tij, janë njohur në seancën e parë gjyqësore, në të cilën nëna e re ishte në proces civil me ish-bashkëshortin e saj. Shtetasja I.T. nuk kishte mundësi financiare për të siguruar avokat dhe gjyqtari, në përfundim të seancës paraprake, i kërkon numrin e telefonit, në të cilin do ta merrte për t’i gjetur një avokat me kosto të ulët financiare.

Pasditen e së njëjtës ditë, në telefonin e kallëzueses, mbërrin mesazhi i parë në serinë e gjatë të rreth 200 sms me teks të dërguara nga gjyqtari Çobo: “Përshëndetje ! Gëzon të gjithë kredinë mirënjohëse nga ana ime. Performanca juaj më imponoi respekte pse jo dhe ndjesi. A u sqaruat me avokatin rekomandues. Problemi yt sinqerisht më diktoi keq-ardhje. Mos hezito me sms apo tel, do të mirëpres. Respekte, OK ?”.

Vajza 32-vjeçare e ka kuptuar qartë nëntekstin e këtij mesazhi, por nuk ka preferuar që të krijojë pakënaqësi tek gjyqtari, i cili drejtonte procesin gjyqësor civil ndaj saj. Ajo e ka falenderuar dhe më pas ka biseduar për çështjen gjyqësore, me avokatin e siguruar nga gjyqtari.

Nga ky moment, gjyqtari Çobo duket se ka tentuar në të gjitha format për ta bindur nënën e re të sapodivorcuar që të krijojë lidhje intime.

Në një mesazh të radhës, të siguruar nga “Boldnews.al”, i cili gjendet në kërkesën për pezullimin nga detyra, gjykatësi i bën një “skanim” femrës së re. “Përsa i përket çështjes të cilën natyrshëm Ti e ke “gangrenë” sinqerisht do kesh suport gjithë “kredinë” time juridike ..! Ok ?? Së dyti në kondicionin social në perceptimin tim aktualisht je “skanuar” femër (mami) tepër bashkëkohore potente plot vizion.. Ky është dhe “motivi” imponues i imi që ti të jesh mikesha ime konseguente. Nuk dua të gjykoj se ti je një zonjë provinciale me mëndësi fshatareske.. Fundja në CV-in tënde je dikushi..Shpresoj mirëkuptimin tuaj..! Ok ??”.

Më tej, gjyqtari nis të përdorë “artilierinë” e rëndë joshëse, duke thirrur në ndihmë të tij shprehje filozofike: “Psikoanalisti austriak Sesil Frojd shkruan se ‘kur je i martuar dhe ke nje te dashur ky eshte komoditet, nese i dashuri eshte dikushi atehere ky eshte luks ”. Pavarësisht tentativave të shumta, shtetasja I.T. nuk ka rënë pre e provokimeve të gjykatësit, duke e kallëzuar këtë të fundit në Policinë e Beratit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: