Edhe pse pa shumë zhurmë dhe bujë, sepse politikanët belgë nuk e kanë në stilin e tyre, vizita më 12–13 dhjetor e kryetarit të Bashkisë së Brukselit, Philippe Close në Tiranë ishte e rëndësishme dhe domethënëse; sepse bëhet fjalë për kryeqytetin belg dhe atë europian.

Ai shprehu qartë publikisht vlerësime tejet pozitive për identitetin dhe vokacionin europian të popullit dhe komunitetit shqiptar në Belgjikë, dha mesazhe ndihme dhe solidariteti në Tiranë dhe në Pezë, duke premtuar, krahas të tjerash, dhe rindërtimin e një shkolle dhe nxitjen e bashkëpunimit me shkollat e Brukselit. Veç kësaj, ajo çka la mbresa në vizitën e të parit të Brukselit, që kryeson dhe Shoqatën e Kryebashkiakëve europianë ishte shoqërimi i tij nga dy bashkatdhetarë tanë; dhe kjo, jo për efekte ceremoniale apo protokollare; përkundrazi; zoti Safet Kryemadhi, me origjinë dibrane është këshilltari i tij personal, politolog dhe publicist i njohur me disa libra në frëngjisht për historinë, kulturën dhe turizmin vendin tonë, dhe personalitet i spikatur i diasporës; kurse e reja nga Prishtina, Qëndresa Gërlica, është këshilltare e Ministres së Arsimit të Rajonit të Brukselit; erdhi kur ishte tre vjeçe në Bruksel, pas persekutimit të babait të saj patriot, Bashkimit nga policia kriminale serbe në vitet ’90.

Të jesh i rrethuar nga shqiptarë nuk është rastësi dhe as thjesht simbolike për zotin Close. Për të gjithë ata që e njohin, një ndër tiparet dalluese të tij gjatë të 20 viteve të punës si këshilltar dhe zyrtar i lartë në atë Bashki ka qenë simpatia dhe mbështetja për komunitetin tonë të të gjitha trojeve. Në fakt, ai u lidh dhe miqësua me Bashkinë e Tiranës më përpara dhe pa e ditur se do të bëhej kryetar i Bashkisë. Pa shkuar më larg, në Nëntor 2016, ai priti dhe bisedoi për projektet e të ardhmes një grup pune të Bashkisë sonë. Madje, në Pritjen që Ambasada dha me rastin e 28 Nëntorit në Sallën gotike të asaj Bashkie, Close këmbënguli që të përshëndeste të pranishmit e shumtë dhe me disa fjalë në shqip. Dhe ia doli mbanë më së miri. Një ditë më parë kishte folur me entuziazëm përpara qindra shqiptarëve të grumbulluar para simbolit të Brukselit, bustit të vogëlushit «Manneken Pis» në Grand Place për ta veshur atë me kostumin tonë tradicional, mes këngëve dhe valleve popullore.

Ndër aktet e tij të para sapo u zgjodh Kryebashkiak në korrik 2017 ishte ftesa për Bashkinë e Tiranës si e Ftuar Nderi në Panairin Festiv Tradicional të Dimrit me një hapësirë të ndjeshme ku ishin ekspozuar veç të tjerash pije, suvenire nga Shqipëria dhe delikatesa kulinare, të shoqëruara çdo mbrëmje me muzikë nga trevat shqiptare ; kjo festë shqiptaro-belge vazhdoi një muaj dhe siç kemi shkruar atëherë në po këtë gazetë «ngrohu dimrin e ftohtë të Brukselit».

Gjatë 12 viteve të qëndrimit si diplomat në Bruksel në dy dekadat e fundit nuk kam parë asnjë rast tjetër, ku kryetari i Bashkisë të Brukselit të shoqërojë një homolog, në rastin tonë Erion Veliaj jo në një, por pothuajse në të gjitha veprimtaritë festive – në ceremoninë e rinovimit të Bustit të Skënderbeut, në Pritjen që u dha në Bashkinë e Brukselit me gjithçka shqiptare dhe me interpretuesit virtuozë të dinastisë muzikore «Qerimaj»; po ato ditë, në Atomiumin 60 vjeçar, shenja kryesore dalluese e Brukselit, për herë të parë u ngrit në majën e tij më të lartë flamuri ynë kombëtar; diçka që ndodh shumë rrallë, kryesisht në rastet e anëtarësimit të një vendi në NATO dhe BE. Por ja që këtë përjashtim e bëri miku ynë Close me shokë për të nderuar posaçërisht vendin tonë dhe shqiptarët.

Aspekti tjetër i rëndësishëm i « shqiptarizmit » të Close u shfaq në dy fushata të mëdha zgjedhore, atë bashkiake në Tetor 2018 dhe më 25 Maj 2019 në zgjedhjet e trefishta rajonale, federale dhe evropiane. Së bashku me drejtuesit e tjerë më të lartë të PS-së, e cila qeveris Brukselin dhe Valoninë prej 7 dekadash, ai dha miratimin për mbi 50 kandidatë shqiptarë, veç atyre nga forca të tjera politike. Kushdo që jeton në Bruksel e di se të konkurrosh në një qytet të tillë që përbëhet në masën 70 për qind nga të huaj të mbi 100 nacionaliteteve është aventure politike që nuk kërkon vetëm guxim. Ndaj dhe vetë konkurrimi, pasi ke kaluar në shumë filtra partiakë dhe publikë, pavarësisht nga rezultati është sukses më vete. Vërtet që pak fituan, ndërmjet tyre për të tretën herë radhazi i mirënjohuri Ahmet Gjanaj në Komunën Molenbeek, Habibe Duraki në Jette, Muhamet Begaj në Saint Josse Ten Node dhe Fatmir Limani në Koekelberg. Por dhe ata që nuk siguruan dot një mandat, u vlerësuan dhe kanë hyrë në fondin e këtyre partive, falë ndihmesës së tyre të madhe madhe për votat për Partinë.

Gjithsesi, Philippe Close tregohet modest duke pohuar se këtë traditë proshqiptare e ka «trashëguar» nga paraardhësit dhe kolegët, si të PS-së, të cilës i takon dhe të partive të tjera. Që ai ka të drejtë, këtë po e tregojmë me disa fakte nga katër komunat më të mëdha dhe me përqendrim e tradita më të shumta të bashkatdhetarëve tanë, por shembujt pozitivë nuk mungojnë as në 15 komunat e tjera të Brukselit.

E para vjen natyrshëm Komuna Schaerbeek, si streha dhe selia mikpritëse e 200 emigrantëve të parë shqiptarë që kërkuan azil më 1956 dhe në vijim. Është ndër komunat tradicionalisht më miqësore dhe të favorshme në shumë aspekte. Qysh gjatë kohës së monizmit, shqiptarët kërkuan dhe realizuan me mbështetjen e saj vendosjen e një busti të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut në një shesh aty pranë një parku të bukur. Kryetari i saj historik Bernard Clerfayt që tani është bërë ministër ka qenë një nga pikat e tjera të fuqishme mbështetëse për shqiptarët në të gjitha kohërat. Salla e saj e bukur dhe madhështore ka qenë vend i bekuar ku janë zhvilluar shumë veprimtari të larmishme.

Në Molenbeek, te kryetari i saj legjendar, burri i shtetit belg, i ndjeri Philippe Moreau gjetën mbështetjen e tyre me qindra bashkudhëtarë që erdhën pas vitit 1992. Gati 20 vjet më parë me ndihmën e tij u çel shkolla e parë plotësuese shqipe «Vatra» që vazhdon të funksionojë, falë një ekipi të përkushtuar e të talentuar mësuesish. Po ashtu, me nismën e Ahmet Gjanaj, president i saj, i cili i përket valës së dytë të emigrimit pas vitit 1956 në Belgjikë u krijua Ansambli i mirënjohur «Vatra», krenaria artistike e shqiptarëve të Belgjikës. Të shumtë janë personalitetet politike belge të çdo niveli, mes tyre emblematikja e socialistëve belge, ish-zv.kryeministre Laurette Onkelinx, mbështetëse tjetër e madhe e popullit tonë që janë mahnitur nga intepretimet e mrekullueshme tëë artistëve të vegjël e të rinj të këngëve dhe valleve tona nga të gjitha trevat të Ansamblit «Vatra». Mirëpo të gjitha këto dhe arritje të tjera përfshirë punësimin dhe strehimin e mijëra shqiptarëve nuk do ishin të mundura pa kujdesin e vetë Kryetarit Philippe Mourreau dhe tani të vajzës së vet, Katerina që drejton komunën. Ajo e ka emëruar Ahmet Gjanaj, « nxënësin » politik të të atit, si zëvendësin e saj të parë.

Sant Gilles është ndër komunat më të mëdha në qendër të Brukselit. Atë ka 34 vite që e drejton i zgjedhur një elitar tjetër i politikës belge, Charles Picqué. Në një ceremoni në nderim të viktimave të tërmetit më 27 Nëntor ai foli me krenari për mbresat që i kishin lënë shqiptarët e parë që kishin pritur në komunë ; ndërmjet tyre dhe Gentian Metaj, aktualisht zyrtar në atë komunë dhe kryetar i Shoqatës kulturore «Konica». Në Saint Gilles ndodhet «Rue d’Albanie» dhe dy pllaka përkujtimore përpara banesës nr. 23, ku në fillim të shekullit të kaluar ka jetuar Faik Konica dhe nga pas viteve ‘80 Martiri i Kosovës Enver Hadri me familjen e tij të nderuar. Si dhe komuna të tjera, veçanërisht në Saint Gilles janë krijuar kushte të favorshme logjistike dhe për krijuesit, artistët, letrarët, etj.

Në Komunën Koekelberg, veç të tjerash, çdo vit, më 28 Nëntor, me nismën e ish Kryetarit Philippe Pivit e tani të Ahmed Laaouej, përpara selisë saj qendrore ka mbi 10 vjet që ngrihet flamuri ynë kombëtar. Edhe gjatë këtyre ditëve, kjo komunë ka vënë në dispozicion të shoqatave tona kulturore si Eagle Event, Art D’Harmony, etj hapësira dhe mjete logjistike për mbledhjen e ndihmave dhe fondeve për tërmetin.

Mesa duket, Brukseli « ua ka bërë zili » dhe qyteteve të tjera të cilat gjithashtu janë përpjekur kush e kush të jetë sa më mikpritës. Shquhet Namuri, por dhe Liezhi, Hasselt, Mons, etj. Një ndihmës i madh i shqiptarëve është kryebashkiaku i Gentit, Daniel Termont, ndër më popullorët dhe karizmatikët në Belgjikë. Në vitin 2014 u shpall kryebashkiaku i dytë më i mirë në botë. Termont është dhe President i Bordit të Kompanisë së madhe belge të naftës dhe gazit «Fluxys», aksioneri i tretë më i madh i Projektit TAP në vendin tonë. Gjatë javëve të fundit, ndonëse aktiviteti do të zhvillohet në Anversë, ai po ndihmon pa u kursyer ekipin e bashkatdhetarëve tanë, përfaqësues të OJF-së «Vizion Albania» për organizimin e një Koncerti Solidariteti dhe Bamirësie me Shqipërinë më 22 Dhjetor në Katedralen e Anversës.

Nismëtare dhe organizatore janë bashkatdhetaret tona të dalluara dhe si aktiviste sociale, të përkushtuara në maksimum ndaj Mëmëdheut, Era Hajdari dhe sopranoja e njohur e Operës së Anversës, Ana Naqe; ajo do të interpretojë në atë Koncert me shoqet e saj soprano të Berlinit, Hamburgut dhe Lionit, Elda Laro, Blerta Zhegu, Elbenita Kajtazi, Etleva Shemai, Lira Milla dhe Olsi Leka, violencelist i talentuar, shef i Orkestrës Mbretërore belge, profesor në Konservatorin Mbretëror Bruksel dhe Anversë. Ndërkohë, dhe bashkatdhetarët tanë, në shumicën e tyre dërmuese e kanë justifikuar më së miri besimin dhe inkurajimin e autoriteteve belge. Duke filluar nga moshat më të reja, si studentja 19 vjeçare Klaudia Hajdari, ambasadore e Forumit Rijor për Veprim (YUCA) te 91 vjeçari gjithnjë aktiv dhe pozitiv, Lek Pervizi, simbol i luftës kundër komunizmit dhe për demokraci.

Ndaj, ata i gjen sot në institucionet publike dhe private, menazherë në banka dhe kompani të mëdha, në qeveritë dhe parlamentet rajonale dhe federale, artistë, gazetarë, dhe në institucionet e larta të BE-së, NATO-s, etj. Kanë kështu dhe ata pjesën e tyre në realitetin magnetik të këtij qyteti të cilin, pa mohuar problemet që ka, e thërrasin me përkëdheli si te kënga «e bukura ime» (Bruxelles, ma belle)Padyshim që këtu ka meritën e vet edhe Përfaqësia jonë diplomatike tejet aktive në Bruksel. Ambasadorja jonë në Belgjikë/Luksemburg, Suela Janina, që drejton dhe Misionin tonë pranë BE-së me dosje tejet të nxehta u ka qëndruar përherë pranë autoriteteve belge, mbi 10 shoqatave dhe çdo shqiptari për zgjidhjen e halleve, problemeve dhe përhapjen e shembujve të shumtë pozitivë. Mbi bazën e përvojës së mëparshme dhe traditave të krijuara, ajo ka ditur dhe ka mundur ta pasurojë vazhdimisht dosjen shqiptaro – belge me elementë dhe komponentë të rinj dhe cilësorë.

Së fundi, folëm vërtet për Brukselin belg, specifikisht, por është e vështirë, për të mos thënë e pamundur ta “ndash atë me thikë” nga Brukseli evropian. Mjafton të themi se mijërat e zyrtarëve të BE, NATO, etj në fund të fundit për jetën e përditshme dhe fëmijët e tyre do të duhet të trokasin dhe “falen” në dyert e Bashkisë dhe komunave të Brukselit. Mbi të gjitha, Brukseli belg i ka dhënë BE-së disa drejtues të lartë me emër. Më i fundit dhe më i riu prej tyre është ish kryeministri 43 vjeçar, Presidenti i ri i Këshillit Evropian Charles Michel dhe paraardhësi i tij Herman Rompoy, komisionerë, etj. Nuk thonë kot “nëse do të dëgjohesh fol në Bruksel”/Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb