Ka panik pas përfundimit të ndeshjes. Ndërkohë që trajnerët ishin duke dhënë konferencat e tyre të zakonshme për shtyp, te dhoma e Laçit vrapojnë të gjithë, madje edhe stafi mjekësor i Skënderbeut. Mësohet se këtë panik e ka krijuar gjendja shëndetësore e sulmuesit të kurbinasve, Rexhinaldo. Sulmuesi në fjalë kishte luajtur me temperaturë dhe pak pas ndeshjes pati dridhje dhe ethe të forta, por pas ndërhyrjes së stafeve mjekësore është qetësuar dhe ka udhëtuar bashkë me ekipin në drejtim të Laçit.

Gjithçka nisi me shqetësimin e ekipit dhe stafit mjekësor kurbinas, ndërsa në krahun tjetër është kërkuar edhe asistenca e stafit mjekësor të Skënderbeut. Rexhinaldo pati pengesë në frymëmarrje dhe dridhje të trupit dhe ndoshta ka qenë kjo ajo që i ka shqetësuar mjaft drejtuesit dhe bashkëlojtarët e ekipit kurbinas. Situata është qetësuar menjëherë dhe nuk ka qenë e nevojshme transportimi i tij drejt spitalit rajonal të Korçës.

Tifozët- Ajo që mund të themi se ishte e veçanta më e madhe dje në ndeshjen Skënderbeu-Laçi ka qenë pa diskutim bojkoti që kanë bërë “ultrasit” e Skënderbeut përpara fillimit të ndeshjes. Në stadium u hap një banderolë: Futbolli pa tifozë nuk vlen! Klubi korçar dhe pas një kontakti edhe me uniformat blu, pak momente përpara startit kjo banderolë është hequr. Bojkoti i ultrasve të Skënderbeut lidhet me veprimin e uniformave blu që kanë ndërhyrë deri në familjet e këtyre ultrasve, për shkak të rrëmujës që ndodhën në ndeshjen me Partizanin, plus kësaj edhe gjobës që i është dhënë nga Disiplina, Skënderbeut.

Mungon Takaj- Në tribunën qendrore të stadiumit “Skënderbeu” ka rënë në sy ditën e djeshme mungesa e presidentit Ardjan Takaj, që mësohet se nuk ndodhet në Shqipëri, ndërkohë që zëvend sohej nga zv/presidenti Arlind Boshku dhe pranë tij ka qenë edhe administratori i klubit, Gerhard Takaj. Dukshëm në këto moment, presidenti i Skënderbeut, duke parë situatën e distancës me ekipet e tjera në renditje, ka zgjedhur që të ndjekë më së shumti zhvillimet në dosjen “UEFA”. Nuk ka munguar në këtë ndeshje presidenti i Laçit, Pashk Laska, i cili ka qenë i shoqëruar nga disa miq të tij kurbinas, ndërkohë që nga mërzitja e kësaj humbjeje, pas shënimit të golit të katërt të Skënderbeut, është ngritur dhe është larguar menjëherë nga stadiumi. Laska në pushim të pjesëve ka hyrë në dhomat e zhveshjes së ekipit të tij për të shkundur lojtarët dhe për të kërkuar maksimumin nga ata, por dukshëm kjo nuk ka dhënë rezultat, pasi Laçi i tij ka pësuar edhe 2 gola të tjerë në 45 minutat e dyta.

-Gjatë zëvendësimit të Enis Gavazajt, mesfushori kosovar dhe trajneri Ilir Daja kanë shkëmbyer disa batuta me njëri-tjetrin në pistë.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/pikante-skenderbeu-laci-panik-pas-sfides-takaj-e-ka-mendjen-tek-uefa-daja-e-gavazaj-batuta-per-nderrimin/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb