Sërish pak tifozë, por tension dhe vendime të çuditshme nga policia vendëse, ndërsa nuk mungojnë ofendimet nga lojtarët. Këto, por edhe pikante të tjera, “Panorama Sport” ua sjell për ndeshjen Luftëtari-Teuta 2-3, luajtur dje në stadiumin “Gjirokastra”.

* E çuditshme, por e vërtetë. Pas dy muajsh kampionat, policia e Gjirokastrës vendosi që tribunën përballë ta mbajë të mbyllur, pasi amortizimi i disa shkallareve mund të çojë tifozët në hedhjen e sendeve të forta në fushë duke përfshirë edhe gurët. Grupimi “Shqiponjat Bluzi” janë dëmtuar nga ky vendim, ndërsa edhe tifozët e tjerë janë të detyruar të paguajnë biletën prej 5 mijë lekësh të vjetër.

* Jo më shumë se 1 mijë tifozë ishin të pranishëm në tribunat A, B dhe C. Ndërsa rreth 200 tifozë e kanë ndjekur përballjen nga jashtë stadiumit, nga tarracat e pallateve. Një grup prej 7 tifozësh durrsakë qëndroi në sektorin mik.

* Që në minutën e 12-të trajneri Hasan Lika kontestoi vendimin e kryesorit Ziri duke shfaqur habinë e tij në momentin e dyluftimit të Bregut me Çyrbjen.

* Në tribunën VIP nuk mund të mungonin presidentët e dy skuadrave, Grigor Tavo dhe Edmond Hasanbelliu. Risi ishte prania e ishtrajnerit të Luftëtarit të brezit të artë (vitet ’70-’80), Hito Hitaj, i cili qëndroi në krahë të kreut të klubit durrsak. Pjesë e kësaj tribune ishin dhe zëvendëspresidenti i Luftëtarit, Artur Dadaj.

Luftetari-Teuta-

* Në rolin e një tifozi e ndoqi takimin e djeshëm sulmuesi Vasil Shkurtaj, i cili në përfundim të fazës së dytë pritet të jetë pika e referimit të ofensivës së Luftëtarit.

* Në momentin që gjyqtari nuk akordoi një faull ndaj Ramadanit në minutën e 56- të, nga i cili erdhi goli i Teutës, trajneri Lika u tha lojtarëve të stolit të ruajnë qetësinë dhe të mos merren me arbitrin. Por, pikërisht në këtë moment shënoi Dediç dhe vetë trajneri u dëshpërua.

* Kur u akordua penalltia e Teutës në minutën e 70-të, tifozëria e Luftëtarit i kërkon trajnerit Hasan Lika tërheqjen e skuadrës nga fusha.

* Mesfushori i Teutës, Arbër Çyrbja, është bërë protagonist i një gjesti të shëmtuar duke provokuar tifozët me kapjen e gjenitaleve.

* Pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët e Luftëtarit si Zguro, Abazaj, Aleksi etj., nuk u kanë besuar syve se ndeshja përfundoi me humbje. Ata janë shtrirë përtokë, madje janë parë të përlotur.

* Edhe pse Luftëtari doli i humbur nga fusha, duartrokitjet e tifozërisë nuk munguan në adresë të bluzinjve.

Burimi PanoramaSport http://www.panorama.com.al/sport/pikantet-cyrbja-i-tregon-gjenitalet-tifozeve-policia-habit-me-tribunen-e-mbyllur/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb