Çdo kombëtare duhej të ndihej me fat që në cilindo stadium të Europës të kishte një mbështetje kaq të madhe. Tifozët kuqezinj janë kudo, edhe në Skoci, por ekipi nuk di ta shfrytëzoj. Trajneri Panuçi është protagonist i mbrëmjes, nga nervozizmi i tepërt, deri te britmat ndaj lojtarëve. Skocezët, të ftohtë ashtu si edhe klima në shtetin britanik, u kujtuan të bënin tifo në momentet e duhur. Këto, por jo vetëm, ishin disa nga pikantet e ndeshjes që “Panorama Sport” ua sjell nga stadiumi mitik i Gllazgout, “Hamden Park”, që dje kishte 21 mijë tifozë.

* Mbi një mijë shqiptarë në stadium, por të ndarë. “TKZ” ishin të organizuar vetëm, duke prenotuar sektorin e tyre. Pjesa tjetër e shqiptarëve janë në sektorë të ndryshëm, me një ndarje, ku stjuartët për të shmangur incidentet, nuk i lënë të rrinë bashkë me skocezët. Tifozët shqiptarë u paralajmëruan me spiker që të mos lëvizin nga vendet ku kanë biletën, përndryshe do të dilnin jashtë. Në momentin kur po ekzekutohej himni shqiptar, grupimi “Tifozët Kuq e Zi”, hapën flamurin e madh shqiptar.

* Minuta e tretë e takimit, në stadium dëgjohen vetëm tifozët shqiptarë me thirrjet: “Shqipëri etnike!” dhe “O sa mirë me qenë shqiptar!”

* Presioni i Skocisë që në start e nervozon shumë Panuçin, aq sa në minutën e 8-të nxjerr në nxehmje mbrojtësin Herdi Prenga.

* Në minutën e 13-të, “TKZ” thërrasin në kor emrin e kapitenit Hysaj.

* Në minutën e 14-t në stadium zbulohet sektori i tretë me tifozë shqiptarë. Një grup afër zonës VIP shfrytëzojnë qetësinë dhe thërrasin: “Shqipëri, Shqipëri”.

* Në minutën e 17-të, skocezët shpërthejnë ndaj arbitrit. Vërshëllima për një penallti të pretenduar.

* Panuçi tërbohet në minutën e 28-të, duke ulëritur që të dëgjojë mbrojtësi i majtë, Binaku. Madje, nga goja nxjerr edhe ndonjë ofendim në italisht.

* Afër fundit të pjesës së parë, tifozët skocezë kujtohet se janë pritës dhe nisin të dëgjohen në stadium. Por, thirrjet shuhen shpejt dhe më pas janë tifozët kuqezinj që bërtasin: “Duam fitore”. Këta të fundit e inkurajojnë ekipin edhe kur pëson golin e parë.

* Në minutën e 56-të, pasi kishte shpërdoruar jo pak, Bekim Balaj kërkon ujë. Panuçi përcjell mesazhin te pankina, por goli i pësuar bën që të harrohet gjithçka. Dy golat vijnë një minutë pas ndërrimeve të trajnerit, fillimisht me Prengën, e më pas me Manajn. Një rastësi e çuditshme.

* Pas një goditjeje dënimi afër zonës kuqezi, Panuçi u bën me shenjë lojtarëve në mur që të kërcejnë. Ashtu bëhet dhe topi përplaset në mur.

PanoramaSport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: