TIRANË- Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 27-vjeçar të shpallur në kërkim për disa vepra penale si “plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” etj.

Por nuk ka qenë e lehtë për efektivët e Komisariatit Nr. 6 pasi iu është dashur ta ndjekin për një copë herë të riun që sapo është pikasur ka shkelur gazin në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimi.

Sipas të dhënave zyrtare është arrestuar Gazmend Osmani, 27 vjeç, banues në Tiranë si dhe shtë shpallur në kërkim shtetasi T.Ll., 24 vjeç, banues në Kashar.

Osmani ishte shpallur në kërkim nga shërbimet e policisë pasi, me datë 16.02.2018 rreth orës 11:00, në rrugën “Azem Meshi” në bashkëpunim me shtetasin T. Ll., 24 vjeç banues në Kashar, pas një konflikti të çastit kanë kanosur dhe plagosur lehtë me mjete të forta shtetasin A.D. dhe janë larguar nga vendngjarja.

Në vijim të punës, për kapjen e tyre, më datë 17.02.2018 shërbimet e policisë kanë konstatuar në Kashar mjetin me targë AA 064 NZ që drejtohej nga shtetasi Gazmend Osmani.
Punonjësit e Policisë i kanë bërë shenjë të ndalojë, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar duke u larguar me shpejtësi.

Shërbimet e Policisë janë venë në ndjekje të këtij mjetit, ku në afërsi të mbikalimit të Fushë-Krujës kanë bërë të mundur bllokimin e mjetit si dhe kapjen e shtetasit Gazmend Osmani, i cili drejtonte mjetin.

Ndërsa shtetasi T.Ll., 24 vjeç, banues në Kashar, që udhëtonte si pasagjer me të, njëkohësisht edhe bashkëpunëtor i ngjarjes së ndodhur më datë 16.02.2018, ka mundur të largohet dhe është shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
• dy maska dhe një karikator arme zjarri pistoletë me pesë fishekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “Plagosja e lehtë me dashje” ”Kanosja”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit “Moskallëzimi i krimit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” parashikuar nga nenet 89,84,278/2, 300 dhe 242 -25 të Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb