NGA: OLA MITRE* TIRANE- Duke filluar nga data 1 qershor, në afërsi të zonave turistike do të ngrihen 22 qendra të reja shëndetësore, me qëllim dhënien e shërbimit për turistët. Gjithçka përcaktohet në një Vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërkohë që ai bëhet me dije për “Gazeta Shqiptare” nga drejtori i këtij institucioni, Astrit Beci. Sipas tij, shërbimi në këto qendra do të ofrohet pa ndërprerje, përgjatë 24 orëve.

“Nisur nga problematika e vërejtur në vitet e shkuara gjatë sezonit turistik, Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të mundësojnë kujdes shëndetësor të përforcuar në zonat turistike, për të qenë në këtë mënyrë më afër turistëve vendas dhe të huaj për çdo emergjencë apo problematikë shëndetësore. Qendrat shëndetësore që do të kenë shërbim të pandërprerë gjatë sezonit turistik përfshijnë Valbonën, Thethin e Razmën në veri të vendit dhe 19 zona të bregdetit, duke filluar që nga Velipoja, Shëngjini si dhe disa qendra në vijën bregdetare Durrës- Golem. Po ashtu, në zonën e Vlorës do ngrihen disa pika, duke filluar nga Dhërmiu e Borshi, deri në Plazhin e Pasqyrave në Ksamil”, – bën me dije Beci.

Sipas kreut të FSDKSH, ky shërbim do të ofrohet deri në datën 31 gusht, por nuk përjashtohet mundësia që në zonat ku sezoni turistik zgjat edhe pas kësaj date, të mos ndërpritet. “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të financojë shërbim të pandërprerë 24 orë për zonat turistike gjatë periudhës deri në datën 31 gusht, ndërkohë që po shikohet mundësia e financimit të shërbimit të pandërprerë përtej këtij afati. Kjo masë pritet të merret pas kërkesave të bëra gjatë vizitës që ne dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj patëm në disa qendra shëndetësore alpine, ku sezoni turistik vijon përtej datës 31 gusht”, – sqaron Beci.

SHËRBIMI
Për të siguruar shërbimin e nevojshëm shëndetësor në 22 qendrat e reja shëndetësore do të akordohet një fond prej 60,5 milionë lekësh. Ai do të përdoret për barna dhe materiale mjekësore, ambientet si dhe personelin mjekësor që do të shërbejë nëpër qendra. “Më konkretisht, FSDKSH do të financojë shpenzimet për këto qendra, të cilat do të ofrojnë shërbim të pandërprerë gjatë sezonit veror, duke filluar nga barnat, materialet mjekësore dhe personel mjekësor (2 mjekë dhe 2 infermierë) që do të kontraktohen për këtë periudhë në qendrat shëndetësore që ndodhen pranë lokaliteteve turistike.

Sipas vendimit të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, këto qendra do të kenë mjekë dhe infermierë për shërbim të pandërprerë”, – shprehet drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH. Mungesa e shërbimit shëndetësor apo kapacitetet e pakta në disa nga pikat më të rëndësishme turistike në vend, është një problematikë që ekziston prej vitesh, ndërkohë që kjo masë pritet të përmirësojë situatën për çdokënd që ka nevojë.

(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: