Hapen 13 pika të reja të vaksinimit në vend, duke e çuar këtë program parësor për shëndetin publik, në çdo komunitet, afër vendbanimit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, dr. Raul Gonzalez vizituan pikën e re të vaksinimit në Allias, nga ku ministrja u shpreh se vaksinimi do të kryhet “derë më derë” në çdo komunitet.

“Me investimet që kemi bërë për rrjetin e zinxhirit ftohës të vaksinimit por edhe me investimet të tjera në këtë qendër është bërë e mundur hapja e kësaj pike vaksinimi që i shërben një komuniteti prej rreth 7 mijë banorësh në zonën e Alliasit, në periferi të Tiranës”, tha Manastirliu.

Duke bërë një apel për prindërit që të ndërgjegjësohen për të kryer vaksinat e fëmijëve sipas kalendarit të vaksinimit, Manastirliu tha se si tek kjo qendër shëndetësore në Allias, është përmirësuar zinxhiri ftohës për ruajtjen e vaksinave në 50 qendra shëndetësore.

“Si kjo pikë vaksinimi janë hapur 13 në gjithë Shqipërinë, ndërkohë që zinxhiri ftohësh është përmirësuar për 50 qendra shëndetësore, duke rritur sigurinë e vaksinave”, u shpreh ministrja.

Drejtuesi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, dr. Raul Gonzalez vlerësoi punën e qeverisë shqiptare për rritjen e mbulesës vaksinale në vend.

“Ky është një rast që ne shohim se si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është përshtatur nevojave të reja të popullsisë. Popullsia është rritur në këtë zonë, ka më shumë nevojë për vaksina. Kjo është një mënyrë se si shteti po siguron një mbulim të lartë të popullsisë”, tha dr. Gonzalez.

Ministrja e Shëndetësisë ka financuar futjen e një vaksine të re në kalendarin e vaksinimit, vaksinën e rotavirusit, e cila do të aplikohet duke filluar nga muaji Tetor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb