PRISHTINE-Si rrjedhojë e fluksit të madh të automjeteve dhe procedurave në pikë kalimin kufitarë në Merdare, pritjet për hyrje dhe dalje janë rreth 30 minuta, pasi tani kontrolli po zhvillohet në dy krosi. Pika kufitare më e frekuentuar mbetet prapë ajo në Merdare, e cila lidhë Republikën e Kosovës dhe atë të Serbisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha KosovaPress-it se gjendja e sigurisë në pikë- kalimet kufitare që lidhin Kosovën me vendet tjera, është e qetë dhe qarkullimi i mallrave dhe i njerëzve po zhvillohet normalisht. Ai mes të tjerash tha se Policia e Kosovës ka ngrit kapacitetet duke bërë shtimin e prezencës policore në pikat kufitare, me aplikim kontrolli në dy krosi për t’i shmangur pritjet e shumta.

“Nëse i referohemi pikave kufitare të cilat kanë të evidentuara pritje apo kolona të automjeteve, kryesisht mund të themi që ndër pikat kufitare më të frekuentuara tani në këta dy muaj është pika kufitare në Merdare që lidh Republikën e Kosovës me atë të Serbisë. Këto pritje dhe kolona krijohen kryesisht si rezultat i ardhjes së bashkatdhetarëve tanë që vijnë kryesisht në sezonin e verës, konkretisht muajin korrik dhe gusht, për të kaluar pushimet e tyre në vendlindje. Kosova ka rritur prezencës policore në pikat kufitare, aplikojmë shpesh kontrollin në dy krosi, si në hyrjen ashtu edhe në dalje, si dhe punojmë me procedurat të përshpejtuara të kalimit kufitar apo kontrollit kufitar në mënyrë që t’i shmangim sa më shumë pritjet e gjata të bashkatdhetarëve tanë që e dimë që kalojnë orë të tëra në rrugë për të ardhur në Kosovë”, tha Kelani.

Ai gjithashtu tha se mbajnë kontakte edhe me autoritete e Policisë në Serbi, nga të cilët shpesh kërkojnë që të aplikojnë procedura më të përshpejtuara të pikë-kalimit kufitar në mënyrë që të ketë më pak pritje. Ndërsa bashkatdhetarët tanë të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës nuk janë të kënaqur me pritjet që po u bëhen në pikë-kalimet kufitare.

Zef Berisha, njeri prej mërgimtareve, i cili vjen nga Zvicra, tha se në pikë-kalimin kufitar Serbi-Kosovë ata presin me orë të tëra. “Kemi ardhur prej Zvicrës, rrugës kemi ardhur më mirë se vjet, jemi nis pak më vonë, se herët nuk po bën me u nis, para pushimit… Pak në Serbi na ka ra me prit, ata po na lajnë me prit. Po në përgjithësi nuk ka pas asnjë problem”, tha Berisha.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: