Në shtëpinë e Lazio festojnë por jo plotësisht, pika e marrë në transfertë përballë Marseja, i mban në lojë, kapen fort pas vendit të dytë, por në dy ndeshjet e fundit kërkohen 6 pikë të plota, për të shpresuar në vendin e parë në Grupin E, aktualisht pronë e Galatasaray. Në Velodrome gjithçka përfundoi në barazim 2-2, Milik në të 33-tën, kaloi marsejezët në avantazh nga pika e bardhë e penalltisë por në limitet e pjesës së parë, Anderson barazoi shifrat në 1-1. Me fillimin e pjesës së dytë, Ciro Immobile përmbysi rezultatin duke kaluar Lazio në avantazh por në minutën e 82-të, Payet barazoi shifrat në 2-2.

Strakosha
Strakosha

Titullarë dhe 90 minuta në fushë për Lazion zbritën dy legjionarët kuqezi, Thomas Strakosha dhe Elseid Hysaj. Gardiani kuqezi ishte një nga lojtarët më të vlerësuar të ndeshjes, nota 7: “Në fillim ndali mrekullisht Milik ndërsa më pas për pak i priti dhe penalltinë. Në pjesën e dytë ishte garanci për Lazio, nuk kishte ç’të bënte në golin e Payet”.

Hysaj
Hysaj

Mirë edhe Hysaj, nota 6: “Fillimisht në të majtë e më pas në të djathtë. Si gjithnjë solid në mbrojtje, kontrolloi Under ndërsa mbajti larg Lirola, gjithmonë në sensin e duhur të pozicionimit”, shkruajnë mediat italiane për paraqitjen e dy lojtarëve shqiptar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb