“PIKË UJI”, filmi me metrazh të gjatë i regjisorit të njohur shqiptar, Robert Budina do të shfaqet për herë të parë të enjtë më 12 shtator në orën 19:00, në kinema Milenium, gjithashtu si premierë botërore. Nuk është thjeshtë një thriller i ngjizur nga fantazia e një artisti, por është një histori dramatike që na sfidon të përballemi me thelbin e problematikës së shoqërisë që po jetojmë. Aida, personazhi kryesor, një funksionare e rëndësishme në bashkinë e qytetit, përpiqet me çdo mënyrë të gjejë një rrugëdalje nga korridoret e errëta të pushtetit ku është ngërthyer, për të mbrojtur djalin e saj Markun, nga krimi që ai akuzohet se ka kryer, përdhunimi i një të miture. Çfarë mund të bëjë një nënë për të mbrojtur fëmijën e saj pavarësisht përmasave të krimit të kryer, fajit, paragjykimeve e gjykimeve? Si përballet ajo me sistemin e inkriminuar, për të cilin ajo vetë ka kontribuar për ta kthyer në një monstër që nuk kursen askënd? A mund të bëhet një nënë avokati i djallit, kur ky i fundit është djali i saj?
Gjatë rrugës për të ngjitur sa më lart shkallët e pushtetit, ajo ka sakrifikuar gjithçka, por kur fillon tatëpjeta ajo do të njohë fuqinë e së keqes, shantazhit, korrupsionit, urrejtjes… Do të shohë se gjithçka do t’i shkatërrohet para syve brenda pak çasteve: nderi, dinjiteti, dashuria dhe në fund edhe biri i saj i vetëm, Marku… Pavarësisht dëshmive dhe fakteve kokëforta, me instinktin e nënës ajo beson dhe këmbëngul deri në fund, se i biri nuk e ka kryer krimin. Në këtë betejë, zyrtarja e korruptuar kalon një proces metamorfoze që bëhet i dukshëm kur shfaqet personazhi dramatik i jetës së saj, Beni, i cili do të jetë prokurori i çështjes gjyqësore që do të japë dënimin e djalit të saj.
Për fat të keq filmi nuk mbyllet në mënyrën tradicionale ku vesi dënohet dhe virtyti lartësohet pasi drejtësia vendoset më në fund. Dhe kjo është e veçanta e filmit të Budinës që edhe pasi shfaqen titrat, shikuesi vazhdon të mbetet i mbërthyer nga emocionet dhe mendimet, ngjarja vazhdon të zhvillohet edhe pasi del nga kinemaja, sepse e percepton nga një kendvështrim tjetër mënyrën si po funksionon shoqëria jonë. Por merita e padiskutueshme i përket skenaristes Doruntine Basha, një ndër talentet me të spikatura të kinematografisë shqiptare, e cila ia doli të sjellë një karakter kaq kompleks si Aida.
“Pikë uji” është një nga ata filma shqiptarë që bën përpjekjen më të arrirë për rikthimin me dinjitet të filmit shqiptar në kinema, duke qëndruar larg komercialitetit dhe ndikimit të ndonjë sipërmarrje politike apo biznesi, larg kopjimit të kinematografisë perëndimore, por me një përqasje origjinale të plotësuar artistikisht, për të cilën pa dyshim ka meritë i gjithë stafi.
Aktorët
Robert Budina ka mbledhur një kast të mrekullueshëm aktorësh që sjellin në jetë karaktere të ndërlikuara dhe plot emocion. Gresa Pallaska, një nga aktoret më të dashura për publikun mbarëshqiptar, interpreton rolin e Aidës, ndërsa Arben Bajraktaraj, aktor shqiptar me famë botërore që jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij teatral dhe filmik në Paris, luan rolin e Ilirit. Adem Karaga, një aktor shqiptar shumëdimensional nga Maqedonia e Veriut, interpreton Elvisin, ndërsa Gerhard Koloneci, një aktor që ka filluar të luajë role të rëndësishme në kinemanë italiane, luan rolin e Benit.
Në film interpretojnë gjithashtu Kodjana Keco, një aktore shqiptare që zhvillon aktivitetin e saj artistik në New York, e cila ka sjellë një rol tronditës në këtë film, dhe talentet e reja natyrale si Paolo Iancu, i cili jeton në Bukuresht dhe ka filluar të luajë role në kinemanë dhe teatrin rumun, gjithashtu Henri Topi, një i ri nga Pogradeci që premton të jetë një nga zbulimet aktoriale shqiptare në të ardhmen.
Pas premierës më 12 shtator, filmi “Pikë uji”, do të vazhdojë të shfaqet në Tiranë dhe në të gjitha kimenate e Shqipërisë. Më pas filmi do të vazhdojë të shfaqet në kinematë e Ballkanit, Spanjës, Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë. Ky film pritet të jetë një sukses i rëndësishëm për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar.
Regjizori
Robert Budina, një regjisor dhe producent i njohur, i është përkushtuar botës së filmit pas mbarimit të studimeve për regji teatri. Në karrierën e tij, ai ka shkruar dhe vënë në skenë shumë pjesë teatrale, por në kinema, ai është njohur për trajtimin e tij të veçantë psikologjik të individit shqiptar, duke eksploruar sfidat që përjeton ky individ në një realitet social-politik që është në tranzicion të vazhdueshëm. Realizimi mjeshtëror i këtyre veprave ka bërë që ato të shfaqen në festivalet më të rëndësishme të botës, si në Tallin, Varshavë, Chicago, New York, Shanghai, dhe Fajr, duke fituar çmime të rëndësishme dhe duke marrë kritika pozitive nga portale të famshme si Rotten Tomatoes dhe Indiewire.
Filmat e tij kanë mbledhur një audiencë të gjerë për kinemanë e pavarur në Shqipëri, Austri, Francë, Gjermani, Itali, dhe janë shfaqur në shumë televizione kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2014, filmi i tij “Agon” u përzgjodh si kandidatura e Shqipërisë për çmimet Oscar. Budina ishte gjithashtu autori, skenaristi dhe regjisori i serialit televiziv “Katrori i pushtetit” në vitin 2022, i cili u shfaq në televizionin kombëtar Klan dhe arriti një audiencë rekord.
(BalkanWeb)