Sezoni aktual i Skënderbeut ka një ritëm të lartë dhe po kryeson me meritë kampionatin duke pasur një ecuri të mirë gjatë të tria fazave të luajtura deri më tani. Bardhekuqtë kryesojnë kampionatin me 63 pikë në 27 javë, duke lënë pas me katër pikë diferencë Partizanin e vendit të dytë.

I ndodhur në një situatë të tillë, statistikat tregojnë qartë për sezonin e madh që po zhvillon Skënderbeu deri në këto momente. Me 63 pikë të grumbulluara në 27 takime, korçarët kanë koleksionuar mesatarisht 2.33 pikë për ndeshje, duke pasur një përqindje të lartë të pikëve të grumbulluara në krahasim me sezonin e shkuar.

Duke e krahasuar me kampionatet më të mëdha të Europës, Skënderbeu qëndron në vendin e katërt në këtë renditje, me një përqindje pikësh për ndeshje plotësisht të barabartë me Juventusin.
Ndërsa më lart se korçarët qëndrojnë “përbindëshat” e PSG-së, Bajern Mynih dhe Barcelonës, që kanë një mesatare më të lartë të pikëve të grumbulluara. Bardhekuqtë kanë lënë pas kampionatin anglez me Lestërin në krye dhe atë holandez me Ajaksin. E gjithë kjo ecuri e mirë është fryt i një shpërndarjeje të mirë të pikëve në të tria fazat e luajtura deri më tani.

Ritmi– Kampionët në fuqi të Skënderbeut thuajse kanë ruajtur të njëjtën ritëm loje në të tria fazat e kampionatit, teksa ndryshimi nga njëra fazë te tjetra është me vetëm një pikë të humbur. Bardhekuqtë kanë zhvilluar fazën më të mirë, pikërisht në 9 javët e para të kampionatit, pikërisht në atë moment kur ishin në lojë edhe në Europa Ligë, në fazën e grupeve.

Ngjeshja e kalendarit nuk i ka penguar kampionët që në nëntë javët e fazës së parë të grumbullojnë 22 pikë, me shtatë fitore, një barazim dhe një humbje, duke shënuar 18 gola dhe duke pësuar 6. Faza e dytë ka qenë po aq e suksesshme për Skënderbeun, por në krahasim me të parën bardhekuqtë kanë humbur një pikë duke arritur të grumbullojnë 21 pikë në nëntë takime, me 7 fitore dhe 2 humbje, duke arritur të shënojnë 21 gola, më shumë se në çdo fazë tjetër dhe duke pë- suar 7.

Në fazën e tretë, që sapo u mbyll, Skënderbeun shënon sërish humbje prej një pike nga faza paraardhëse. Në këtë fazë të tretë, bardhekuqtë grumbulluan 20 pikë, duke shënuar 6 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, me 17 gola të shënuar dhe gjashtë të pësuar. Pra, sikundër duket edhe nga statistikat, faza e tretë ka qenë më e dobëta për Skënderbeun, si në pikët e grumbulluara, ashtu edhe në golat e shënuar, por kampionët në fuqi vijojnë të ruajnë të pandryshuar diferencën me kreun e renditjes.
(er.shk/PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb