TIRANE- Një piktor 51­-vjeçar është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “përndjekjes” të nëndrejtoreshës së një shkolle 9-­vjeçare në kryeqytet.

Vendimi i fajësisë ndaj të pandehurit me iniciale A. D. u shpall pak ditë më parë, në përfundim të dy seancave gjyqësore ndaj tij. Sipas gjykatës, i pandehuri kishte krijuar një lidhje me nëndrejtoreshën B.K., në fund të vitit 2014, kur kishte kryer disa punime në shkollën e saj.

Prishja e miqësisë së ngushtë 10 muaj më pas dhe një shumë prej 300 eurosh e dhënë prej tij, kanë acaruar marrëdhënien mes të dyve. Sipas gjykatës, me pretendimin se nëndrejtoresha e kishte joshur për
ta zhvatur, i pandehuri A. D. i ka dërguar asaj disa letra për kthimin e kësaj shumë dhe dëmshpërblim për dëmin që i kishte shkaktuar.

Në një rast, i pandehuri ka parë nëndrejtoreshën duke pirë kafe me një mikun e saj, ku i ka goditur të dy dhe ka përdorur fjalor vulgar. Veprimet e tij, sipas gjykatës, janë pasuar me dërgime mesazhesh me përmbajtje kërcënuese, që të dëmtuarës B. K. i kanë krijuar gjendje ankthi, frike dhe pasigurie.

HISTORIA
Bazuar në vendimin e Gjykatës së Tiranës, nëndrejtoresha e shkollës 9­-vjeçare të pozicionuar brenda Unazës, është njohur me të pandehurin në nëntor 2014. Për shkak të profesionit të tij, i pandehuri ka bërë disa punime që lidhen me pikturën në këtë shkollë. Për kryerjen e këtyre punimeve ai ka komunikuar me shtetasen B. K., me të cilën ka filluar të takohen herë pas here dhe në vazhdimësi kanë
krijuar një lidhje miqësore shumë të afërt. Në janar të vitit 2016, nëndrejtoresha është paraqitur në polici dhe ka bërë kallëzim kundër të pandehurit. Ajo ka rrëfyer se më 27 shtator të vitit 2015 ka qenë duke pirë kafe me një mikun e saj, kur aty ka shkuar i pandehuri. Sipas kallëzueses, i pandehuri e ka goditur atë dhe mikun e saj, si dhe ka përdorur fjalë vulgare.
BORXHI 300 EURO
Në kallëzim, nëndrejtoresha ka pretenduar se i pandehuri vazhdonte ta shqetësonte me numra të ndryshëm telefoni. Sipas saj, në dhjetor i pandehuri i ka çuar në banesë dy letra të nënshkruara prej tij, sipas të cilave ajo i detyrohej një shumë parash. Ajo deklaron se i ka marrë borxh të pandehurit shumën prej 300 eurosh, të cilat ka dashur t’ia kthejë, por ai nuk ka pranuar. Kallëzuesja deklaron se në muajin nëntor të vitit 2015 ka bërë kallëzim ndaj bashkëshortes së të pandehurit, pasi i ka shkuar te shkolla me një thikë në çantë. Kallëzuesja deklaron se ndihet e kërcënuar prej tij dhe i krijon asaj gjendje ankthi, frike dhe pasigurie.

MESAZHET KERCENUESE
Sipas këqyrjes së telefonit me numër 06…94, i disponuar nga shtetasja K. B., me qëllim për të evidentuar mesazhet hyrëse drejt këtij numri, rezulton se nga numri 06…64, që i përket të pandehurit, janë bërë disa SMS në drejtim të numrit të shtetases K., dhe nga përmbajtja e këtyre SMS­ve del qartë se i pandehuri kishte një interes për jetën personale të kallëzueses. Gjithashtu, nga përmbajtja e letrave të dërguara nga i pandehuri janë përdorur fjalë fyese, kërcënuese, për shkak të investimit të tij në lidhjen që ka pasur me kallëzuesen dhe i kërkon paratë që pretendon se ajo ia ka borxh dhe dëmshpërblimin për dëmin që ajo i ka shkaktuar. (Panorama)

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb