Piktorja e njohur kosovare Adriana Nimani Kutllovci ka çelur në qytetin e Beratit ekspozitën e saj të radhës.

Nën titullin “Ngjyrat dhe trajtat”, ekspozita e magjistres së artit dhe dizajnerit në Radio Televizionin e Kosovës Adriana Kutllovci, u çel për artdashësit beratas në Galerinë e Arteve “Edëart Lear” të qytetit. Në pikturat e artistes së mrekullueshme kosovare dallohet qartë kompozicioni, vizatimi, ngjyrat dhe ekspresioni, të cilat manifestohen fuqishëm në të gjitha krijimet e saj. 69 veprat e kësaj ekspozite janë realizuar prej saj në 3-vitet e fundit dhe në pjesën më të madhe të tyre pasqyrohet cikli i gjatë i izolimit gjatë pandemisë, me shpalosjen e gjendjes emocionale dhe psikologjike të njerëzve si dhe një vepër në mbrojtje të Ukrahinës.

Në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite, kanë qënë të pranishëm figura të shquara të artit beratas e kosovar, drejtues të pushtetit vendor dhe qytetarë beratas. Drejtori i Galerisë së Arteve “Eduart Lear”, Agron Polovina ka theksuar se, kjo galeri ka mbështetur e promovuar për vite me radhë artistë vendas e të huaj. Polovina ka theksuar se autorja e kësaj ekspozite Adriana Nimani Kutllovci, vjen nga një familje arti, nga një familje me kontribut të rëndësishëm artistik e kulturor në Kosovë, Shqipëri e më gjerë.

Vetë autorja e kësaj ekspozite, kosovarja Adriana Nimani Kutllovci, ka shprehur kënaqësinë që këtë ekspozitë të saj e ka çelur edhe në Berat, në qytetin e UNESCO-s. “Ekspozita ka 5 disiplina të ndryshme: vizatime, piktura dixhitale, piktura në pëlhurë (telajo), postera dhe grafika dixhitale”-ka thënë ajo. Ekspozita e piktores kosovare Adriana Nimani Kutllovci do të qëndrojë e hapur për të gjithë artdashësit beratas deri në datën 13 maj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb