Auron Tare ka ekspozuar në Pedonalen e Tiranës një cikël të pikturave të anglezit Eduart Lir për Shqipërinë, një pjesë prej të cilave nuk janë publikuar më parë.

Tare ka përzgjedhur pikturat dhe skicat e Rrugës Egnatia, si një mesazh për rivitalizimin e kësaj rruge, të cilat mund të konsiderohen si fotografitë e fundit të Rrugës Egnantia, shkruan “ATA”.

Në vitin 1848 Eduart Lir nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll.

Udhëtimi mori një kthesë të papritur për shkak se kishte rënë kolera dhe e vazhdoi udhëtimin përmes Selanikut e Manastirit.

Udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Kthehet në Tiranë dhe vazhdon të udhëtojë drejt Kavajës, Beratit, Ardenicës, Apolonisë, Vlorës, Himarës, Tepelenës, Gjirokastrës deri në Janinë.

Mes 100 pikturave të Lirit me temë nga Shqipëria, Tare ka përzgjedhur atë pjesë që lidhet me promovimin e projektit të rrugës “Egnatia”.

Poeti dhe piktori anglez Eduard Lir (1812-1888) ka qenë i pari udhëtar e shkrimtar që bëri një udhëtim të plotë nëpër Shqipëri, jug e veri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb