Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE –Pasi një helikopter i prishi qetësinë kreut të qeverisë, Edi Rama dhe familjes së tij teksa ishin duke pushuar në Dhërmi, u proceduan penalisht pilotët e helikopterit, një gjerman dhe një shqiptar. Ky është lajmi që prej disa ditësh qarkullon në media, ndërsa në dy kampet e mëdha politike në vend kanë filluar akuzat dhe kundërakuzat, duke ngritur pikëpyetjet: A pati një helikopter që fluturoi mbi zonën ku qëndronte kryeministri e familja e tij dhe cili ishte fati i dy pilotëve që udhëtonin me këtë helikopter? “Gazeta Shqiptare” sjell sot intervistën e plotë me pilotin shqiptar të helikopterit që fluturoi mbi Dhërmi, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur të shtunën e javës së kaluar. Piloti shqiptar që dëshiron t’i ruhet anonimati sqaron se është përfaqësuesi i kompanisë së helikopterëve që mban emrin “V… Air Albania”, e cila prej kohësh është bashkëinvestitore me kompaninë tjetër gjermane, “Aeroheli Internacional”. Ndërkohë, është identifikuar piloti gjerman, i cili quhet Detlef Gensel dhe prej kohësh është pilot i kompanisë gjermane “Aeroheli”.

A mund të na shpjegoni se si është e vërteta e historisë që ju keni fluturuar me helikopter mbi Dhërmi, aty ku pushonte edhe kryeministri?
Unë dua ta nis nga fillimi këtë histori, sepse dua të sqaroj përmes gazetës suaj se ne nuk e dinim fare se kush pushonte në Dhërmi, prandaj nuk kishim dijeni as për kryeministrin. Dua të them se unë jam përfaqësuesi i kompanisë së helikopterëve “Viva Air Albania”, e cila prej kohësh bashkëpunon me kompaninë tjetër gjermane, “Aeroheli Internacional” dhe qendrën tonë e kemi në Arbanë. Prej një viti piloti gjerman është pjesë e ekipit tonë dhe kemi udhëtuar disa herë bashkë, pasi helikopterët tanë përdoren për emergjencat civile, për turizëm, apo edhe për udhëtime kur porositen nga persona të caktuar. Madje, ne jemi edhe pjesë e emergjencave europiane dhe kemi qenë edhe në Serbi apo Bosnje në rastet e përmbytjeve dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme të kësaj natyre. Por, që të kthehemi tek ajo që ka ndodhur. Unë kam qenë bashkë me pilotin gjerman në helikopterin që u tha se prishëm qetësinë e kryeministrit dhe familjes së tij në Dhërmi, por që e vërteta nuk është aspak kështu.

Ju fluturuat mbi Dhërmi dhe konkretisht mbi zonën ku pushon familja e kryeministrit?
Ditën e premte kemi marrë lejen për të fluturuar në Korfuz, pasi ashtu e kishim planifikuar ditën e shtunë. Çdo gjë ditën e premte ishte në rregull, i bënë kontroll helikopterit, lejes sonë dhe na thanë se s’kishim asnjë problem. Pas kësaj, të shtunën ne jemi nisur nga Rinasi në drejtim të Korfuzit, pasi do shkonim në një ishull dhe gjatë kësaj kohe kemi folur çdo 10 minuta me kullën e vrojtimit në Rinas. Por, kur shkuam në Llogara, na thanë se do të lidheshim me kullën e vrojtimit të Korfuzit, sepse kishim hyrë në territorin e tyre dhe nga ana e Korfuzit na u tha që të bënim një orbitë rrotulluese mbi Dhërmi, duke u shkëputur nga toka 500 këmbë, derisa të na jepnin direktivën nëse do lëviznim majtas apo djathtas. Pasi bëmë vetëm një rrotullim mbi Dhërmi, pa e ditur se kush pushonte aty, morëm direktivën për t’u nisur. Kur u kthyem të dielën në Rinas, na bënë kontroll me policë dhe qen në helikopter, ndërsa mua dhe pilotin gjerman na futën në dhoma më vete, na kyçën dhe na kanë mbajtur aty nga ora 12 deri në orën 16:30 minuta.

Ju thanë se përse ju kishin ndaluar?
Nuk na dhanë asnjë shpjegim, vetëm na kanë marrë në pyetje. Mbaj mend që na pyesnin se kush ishim, ku kishim shkuar, me kë punonim, pse kishim fluturuar pikërisht mbi Dhërmi dhe kishim bërë rrotullim aty dhe pyetje të kësaj natyre. Gjatë kohës që na morën në pyetje, nuk na e zunë në gojë kryeministrin, por policët që ishin aty vërdallë na thanë se na kishin ndaluar pikërisht sepse kishim shqetësuar familjen e kryeministrit Edi Rama. Madje, policët gjatë kohës që na merrnin në pyetje, flisnin në telefon me persona të tjerë, duke iu komunikuar çdo gjë që u kishim thënë, por edhe duke marrë direktiva prej tyre për pyetjet që duhet të bënin më tej. Në fund, pasi na mbajtën 4 orë e gjysmë aty brenda, na lanë të lirë, na dhanë dokumentet dhe na thanë se na kishin shoqëruar sepse kishte ndodhur një incident dhe duhej të na shikonin lejen e fluturimit dhe vulën te pasaportat. Kjo është hera e parë që na e kërkonin diçka të tillë, sepse ne kemi bërë udhëtime në shumë vende dhe asnjëherë nuk na kanë ndaluar në këtë formë dhe nuk na kanë i kanë kërkuar këto gjëra.

Po me ambasadën gjermane keni folur?
Gjatë kohës që ishim duke u marrë në pyetje, piloti gjerman kishte folur me ambasadën dhe u kishte treguar çdo gjë. Ndërsa, dy ditë më parë kemi pasur një takim me ambasadorin dhe zëvendësambasadorin gjerman, të cilët pasi na dëgjuan, na thanë se po e mbanin situatën nën vëzhgim. Ne shprehëm edhe shqetësimin tonë, duke u thënë se bë Shqipëri nuk ka asnjë vend të përcaktuar se ku nuk lejohet të fluturosh, siç mund të ndodhë në vende të tjera, ku autoriteti i aviacionit përcakton zonat dhe vendet se ku nuk lejohet fluturimi. Por, autoriteti ynë nuk e përcakton një gjë të tillë, prandaj ne nuk e kuptojmë se përse duhet të merren këto masa kur një helikopter fluturon mbi shtëpinë e pushimit të kryeministrit apo kushdo qoftë ai, kur një gjë të tillë nuk e parashikojnë autoritetet tona ajrore.


(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: