Nga: Klodiana LALA

TIRANË- Ndryshimet ligjore në kuadër të Reformës në Drejtësi, që po lexohen ndryshe nga gjykatësit, po bëhen shkak për zvarritje të mjaft dosjeve të rëndësishme. Njëra prej tyre, është ajo e Fadil Kasemit, biznesmenit që ekzekutoi ish-bashkëshorten gjykatëse, Fildes Hafizi, më 31 gusht 2017.

Gjykata e Tiranës, e cila kishte në duar këtë çështje, vendosi t’i kërkojë mendim Gjykatës së Lartë, nëse është ose jo kompetente për ta shqyrtuar, siç mëson “BalkanWeb”. Kjo për faktin se gjendet përballë dy vendimeve të Gjykatës së Lartë, që nuk i japin zgjidhje çështjes së kompetencës.

Gjykimi ndaj të pandehurit Kasemi, nisi fillimisht në gjykatën për Krime të Rënda, pasi ai akuzohej për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Duke qenë se ligji, nuk u jep mundësinë të pandehurve për krime në familje të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, çështja po shqyrtohej në themel.

Gjatë kësaj kohe, gjykata supreme mori një vendim, sipas të cilit, prokuroria dhe gjykata për Krime të Rënda do të mund të shqyrtonin vetëm çështje të korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë, deri në krijimin e gjykatës Speciale, ndërsa të gjitha dosjet e tjera, do të kalonin për kompetence pranë gjykatave të shkallëve të para.

Në zbatim të vendimit, dhjetëra çështje kaluan nga Krimet e Rënda, tek gjykatat e rretheve gjyqësore.
Dosja e Fadil Kasemit kaloi menjëherë te gjykata e Tiranës, po ndërsa ende nuk kishte nisur shqyrtimi i saj, nga gjykata e Lartë u mor një tjetër vendim, që duket se e komplikon më shumë situatën.

Sipas verdiktit të dytë, çështjet e nisura nga Krimet e Rënda para datës 1 gusht 2017, kur hyri në fuqi Kodi i Ri i Procedurës penale, do të përfundoheshin prej saj. Dosjet e tjera, veç atyre të korrupsionit, do të ishin në kompetencë të shkallëve të para.

Për çështjen e biznesmenit Kasemi, gjykata e Tiranës, është në dilemë nëse është apo jo kompetente për të shqyrtuar atë.

Ndaj për t’i dhënë zgjidhje ngërçit, trupa gjykuese e kaloi topin në gjykatën e Lartë.

Kjo e fundit duhet të përcaktojë se cila është gjykata kompetente për gjykimin Fadil Kasemit, shkalla e parë apo ajo e Krimeve të Rënda. Deri atëherë, ndaj njeriut që ekzekutoi ish-gruan, në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet, duke tronditur mbarë opinionin publik, nuk do të mund të merret dot një vendim.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb