Para pak ditësh Pippo Inzaghi nuk ia doli të ngjitej me Venezia-n në “Seria A” pasi u eliminuan në gjysmëfinale nga Palermo, por gjithsesi ish-futbollisti i Milanit ka gjetur mundësinë sesi të bashkohet sezonin e ardhshëm me Simone Inzaghi-n, trajnerin e Lazio-s i cili njëkohësisht është edhe i vëllai i tij.

Pak orë pas Palermo u preu shpresat për t’u ngjitur në “Seria A” Pippo njoftoi largimin nga Venezia. Ashtu siç pritej nuk vonoi shumë dhe italiani mori drejtimin e Bologna-s, skuadër e cila është pjesë e elitës.

Jo vetëm Pippo Inzaghi, por ka patur edhe lëvizje të tjera në “Seria A” sa i takon trajnerëve. Roberto De Zerbi merr drejtimin e Sassuolos, duke konfirmuar kështu zërat që qarkullonin që nga përfundimi i sezonit. De Zerbi, që do të prezantohet në ditët në vijim ka firmosur kontratë 2-vjeçare.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb