TIRANE– “Piramida” e cila tërheq jo pak vëmendjen e turistëve të huaj, nuk do të ketë edhe për shumë kohë imazhin e zymtë që ka sot. Kjo për faktin se shumë shpejt do të realizohet projekti për rivitalizimin e këtij objekti. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, mes 13 projekteve që parashikojnë shndërrimin e kryeqytetit, përmendi edhe rikonstruksionin e “Piramidës”.

Sipas Veliajt këto 13 projekte, por edhe investime të tjera, do ta shndërrojnë Tiranën në një metropol të denjë për qytetarët që jetojnë aty çdo ditë, por dhe për të huajt si vizitorë.

Projekti për rivitalizimin e “Piramidës” do të nisë nga rikonstruksioni i godinës, për të kaluar më pas në territorin rrethues. Veliaj tha se kjo godinë interesante do të kthehet në një godinë funksionale që do u përkasë qytetarëve.

“Sot jemi tek Piramida, por mund ta quajmë edhe tek rrënojat e Piramidës. U fol disa herë për projekte për të. 500 mijë uro u shpenzuan për ideimin e parë të projektit, pastaj 400 mijë euro për përshtatjen e tij, pastaj 500 mijë euro për mermerin. Kurrë nuk pati transparencë për këto para e projekte. Sot kemi këtë trashëgimi, dhe ky është angazhimi ynë publik, që t’ia kthejmë atë publikut. Nuk do të kemi një dhënie me koncesion, por do të ngelet një vepër publike, autentike e qytetit të Tiranës. Do të kemi një seri panelesh diskutimi, për të ardhmen e këtij xhevahiri, ose objekti më i fotografuar i kryeqytetit. Kemi diskutuar një vit për të ardhmen e sheshit, dhe sot jemi me një vendim. Por kështu diskutime ka patur edhe për bulevardin. Kemi dy-tre projekte, ku falë diskutimeve janë bërë projekte edhe më të mira. Të njëjtën eksperiencave patëm edhe me planin urbanistik të Tiranës. Mund të propozojmë disa ide e praktika, dhe t’i plotësojmë ato me ide avangardë, për të sjellë një projekt sa më të mirë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se parashikohen investime për artin në kryeqytet, duke u shprehur se ekonomia e jetës së natës vlen miliona euro.

“Ftesë publike të kontribuoni në ide për Piramidën. Tirana ka nevojë për projekte e investime, për kanalizime, rrugë, kopshte, shkolla, çerdhe, qendra shëndetësore, ndriçim, gjelbërim, por edhe në projekte për artin. Jemi i pari qytet që promovojmë një grup të veçantë për jetën e natës në kryeqytet. Synojmë që arti të mos mungojë 24 orë. T’i japim akoma më shumë gjallëri kulturës në kryeqytet. Ekonomia e jetës së natës vlen miliona euro. Ky është fillimi i një aventure fantastike për të kthyer këtë objekt në duart e publikut dhe qytetarëve”, tha Veliaj.

Sakaq, kreu i Bashkisë tha se në kuadër të këtij projekti, do të ftohen arkitektë të ndryshëm “të na frymëzojnë me ide dhe projekte sesi Piramida dhe territoret jashtë t’i kthehen publikut”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb