Një grup brenda Partisë Demokratike, është ngritur e kërkon largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD, me pretendimin e rigjenerimit të partisë.

Një prej personave që ka ndërmarrë këtë nismë është ish-Presidenti Bujar Nishani. I ftuar në “Real Story”, në “News 24”, ai tha se ky është një aksion që do të vazhdojë, deri sa të prodhojë efikasitet.

Nishani nënvizoi se PD aktualisht është e përçarë, e larguar larg njerëzve e demokracisë, ndërsa, shtoi se vizioni i tij është ai i bashkimit.

“Ky është një rrugëtim, ne nuk e ndalojmë këtë. Në këto ditë të para që është artikulim, deri më tani ka opinione, qëndrime. Ne jemi të bindur që është proces ky, jo i shkurtër. Sepse s’ka alternativë tjetër, ose PD do të jetë opozitë të përhershme ose do të fitojë, kjo është çështja. Zoti Basha duhet të çlirojë procesin. 22 korriku nuk thotë asgjë. S’ka pikë rëndësie. Nuk është puna për largim. Ai përmes farsës do e rrënojë imazhin e tij, e sa më shumë probleme artikulon aq më e madhe është pjesa e fajit. Do të vijë shtatori, do të shkojnë 60 burra e gra të ndershëm, e mijëra të tjerë do të zhgënjehen, do mbeten pa punë, pa bukë, pa marrë shërbime.

Ata për çfarë e zhvilluan betejën. Unë po them që jemi kthyer dy vite e gjysmë mbrapa. Do të ketë takime, me bazën, qytetarët. Forca politike qëndron tek qytetari, në terren. Nëse këta vektor që kanë ndjeshmëri tjetra, do të bëhen pjesë e këtij aksioni. Qëndrimi i shoqërisë ka bërë ndryshime të plota, e jo ndryshime brenda partive. Unë dhe kolegët e mi kemi përditë kontakte, do të vijnë kontaktet duke u shpeshtuar. Kemi kontakte në terren. Forca e një qëndrimi politik është tek qytetari. Jam i bindur që do të kemi aleatë taktik. Nëse ne do të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme me një PD që do të shkojë në nivelet e 15% le ta mbajë kryetarllëkun Basha, por PD do të dëmtohet shumë. Ne do të shmangim përçarjet. Unë jam për bashkimin. Unë përmenda fjalën spektër. Në kuptimin e njerëzve që kanë pasion për politikën, kanë eksperienca në PD.

Pra, ne nuk kemi ndërmend të bëjmë përçarje. Sot PD është më e përçarë se asnjëherë më parë. Janë një grupim i madh njerëzish, që janë të dëshpëruar, lodhur, mërzitur. Është një çështje që ne duam si t’i bashkojmë njerëzit e jo t’i përçajmë. Në një shtet është i rëndësishëm orientimi i lidershipit.

Varet se çfarë mesazhesh do të përçojmë. Nëse ne lëshojmë mesazhet e qytetarisë, bashkimit, demokracisë, sepse i është larguar demokracisë, sinqeritetin. Në këtë kontekst mendoj që i gjithë ky mesazh, artikulim që do të vazhdojë, do të ketë rezultat pozitiv, sepse ajo nuk do të ndalojë deri sa të ketë rezultat”, tha Nishani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: