Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve B.S dhe Dushan Maksioviç, të cilët dyshohen për sulme terroriste në veri të vendit, saktësisht në Banjskë të Zvecanit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Po iu është caktuar masa prej një muaji paraburgim”, ka thënë Gashi.
Në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.
Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.
Nga të shtënat me armë zjarri, tre terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër persona tjerë janë arrestuar për përfshirje.
Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.