VLORË

Policia e Vlorës ka vënë në pranga dje një ish-shef policie që rezultonte në kërkim i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të kultivimit të bimëve narkotike.  Bëhet fjalë për 38-vjeçarin Renato Avdyli, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, që në tetor të vitit 2016 ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe “Grup i strukturuar kriminal”. 38-vjeçari Avdyli u dorëzua dje në polici për t’u përballur me akuzat ndaj tij.

Po kush ishte negociator për dorëzimin e tij? Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se bashkëshortja e Avdylit është efektive policie dhe ka qenë pikërisht ajo që ka ndihmuar në dorëzimin e 38-vjeçarit. Policia kërkoi bashkëpunim nga bashkëshortja e Avdulit, e cila është përgjigjur pozitivisht.

Renato Avdyli është pjesë e grupit prej tetë personash, të akuzuar nga Prokuroria se ushtronin aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike kanabis sativa në fshatrat Vezhdanisht-Treblovë, në Vlorë.

Në kuadër të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, në këtë zonë Policia e Shtetit zbuloi një sasi shumë të madhe lënde narkotike, të shpërndarë në parcela, si edhe në proces tharjeje.

Në krye të grupit qëndronte Taulant Haxhiraj, i cili, bashkëpunonte ngushtë me punonjësin e Policisë, Renaldo Avdyli, si edhe me disa persona të tjerë. Këta të fundit kishin për detyrë marrjen e masave konkrete për kultivimin, magazinimin dhe më tej, shpërndarjen e lëndës narkotike.

Sipas dosjes të Prokurorisë, një grup personash, gjatë muajve prill dhe maj të 2016-ës, pasi kanë siguruar me parë sipërfaqe toke, në pyll, kullota, tokë në pronësi shtet ose në pronësi dhe posedim të personave privat, që ndodhet në territorin e zonës Administrative Vlorë, kanë filluar kultivimin e sasive të mëdha të bimëve narkotike të llojit canabis sattiva.

Në vijim të hetimeve, forcat e Policisë kanë ndërhyrë, duke realizuar arrestimin e 11 personave, por pa mundur të vë në pranga Renaldo Avdulin.

Akuzat për veprat penale “Kultivimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal”, “Kryerjes së veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”: 1. Taulant Haxhiraj; 2. Renaldo Avdyli; 3. Shkëlqim Koçiaj; 4. Xhovalin Baço; 5. Reshat Radhima; 6. Marjus Bajrami

Për kryerjen e veprës penale “Moskallëzim krimi”, akuzohen: 7. Klajdis Imeri; 8. Anis Pajo.

PLAGOSJA
Por Renato Avdyli ka edhe një tjetër precedent dhe episod të njohur për policinë. Ai është plagosur disa vite më parë nga një person në një atentat ndaj tij. Autori i plagosjes ishte një person që ishte rrahur nga Avdyli në kohën kur ka qenë pjesë e forcave të Policisë. Pas plagosjes Avdyli u largua nga forcat e rendit. Ai ka jetuar në arrati ë prej 3 vitesh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb