TIRANË

Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Interpol Pekini/Kinë, kanë arrestuar në Rinas një shtetas kinez, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi kriminal.

I arrestuari është shtetasi me iniciale G.L., 25 vjeç, lindur në Kinë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, më datë 23.04.2019 për veprën penale “Gjobëvënie” (maksimumi i dënimit 10 vjet burg).

Zyra e Sigurisë Publike të Bashkisë së Goazhou, në Kinë, ka zhvilluar hetime, ndaj një grup kriminal, të tipit mafioz, të cilët merrnin përfitime ekonomike nëpërmjet dhënies me kamatë, hapjes së kazinove, kumarit dhe marrjes me dhunë të borxheve. Shtetasi G. L, është një prej anëtarëve kryesorë të këtij grupi.

Në vitin 2013, ky shtetas sëbashku me pjestarë të tjerë të grupit, kanë rrëmbyer shtetasin X.L., duke e detyruar atë të ripaguajë një borxh, në vlerën e 3.8 milionë Yuan kinez.
Në vitin 2014, në të njëjtën mënyrë ka detyruar shtetasin W.H, që të paguajë një hua duke e detyruar atë të shesë 23 suita, 40 vendparkime dhe 6 automjete me çmimin shumë të ulët.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi u bë i mundur arrestimi i shtetasit të mësipërm, me qëllim ekstradimin e tij drejt Kinës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb