Tre trafikantë heroine, njëri prej të cilëve operonte nga qendra e paraburgimit në Bonneville, u dënuan me burgim të enjten, më 10 nëntor. Xhandarët e Togës së Motorizuar të Bonneville të Francës, të ndihmuar nga GLCF (Grupi Lokal i Kontrollit të Fluksit) të Annemasse, i kanë dhënë fund një trafiku të drogës.

Gjithçka filloi me një kontroll të thjeshtë në rrugë të shtunën më 5 nëntor në Vougy. Xhandarët e PMO morën informacion sipas të cilit një shitës heroine do të paraqitej në zonë. Ata e vendosën menjëherë vëzhgimin. Pak minuta më vonë ndaluan një automjet në të cilin ndodheshin dy burra, ndërsa shoferi rezultoi pozitiv me kokainë. Ndërkohë, gjatë kontrollit në mjet u gjetën dhe 128 gramë heroinë. Po ashtu raportohet se një individ i tretë i përfshirë në trafik ndodhet në qendrën e paraburgimit në Bonneville. Në total janë arrestuar 3 shqiptarë, 2 nga Shqipëria dhe 1 nga Kosova.

Raportohet se shqiptari i arrestuar në burg, akuzohet se organizonte takime midis shitësve dhe konsumatorëve nga qelia e tij duke përdorur një celular që kishte futur kontrabandë. Pas 96 orësh në paraburgim policor, të tre personat u sollën para prokurorit publik dhe u gjykuan menjëherë këtë të enjte, më 10 nëntor në gjykatën gjyqësore të Bonneville.

Dy të arrestuarit në automjet u dënuan përkatësisht me 15 dhe 18 muaj burgim, ndërsa tjetri që që menaxhonte rrjetin nga qelia, u dënua me 24 muaj burg. Në fund të dënimit, tre burrat nuk do të mund të shkelin më në territorin francez.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb