Analistët Fatos Lubonja dhe Mentor Nazarko komentuan në studion e “News24” procesin e votimit, deri më tani. Të dy analistët u ndalën te pjesëmarrja e lartë në votime, duke thënë se një gjë e tillë favorizon opozitën.

“Ka një aksiomë, sipas së cilës, pjesëmarrja e lartë favorizon opozitën. Pjesëmarrja e lartë lidhet dhe me muajin, në të cilin po zhvillohen zgjedhjet”, tha Nazarko.
Nga ana tjetër, Lubonja tregoi shqetësimin e një qytetareje, që e kishte telefonuar sot për ndihmë, pasi nuk kishte mundur të merrte dot kartën e identitetit, edhe pse zyra e Aleatit dhe Gjendjes Civile i kishin thënë të premten se mund ta tërhiqte edhe ditën e sotme.

“Më kontaktoi një qytetare, kërkonte ndihmë, ishte pak shqetësuese dhe nuk e kuptoj pse, është dembelizmi apo papërgjegjshmëria e zyrave tona. Ngjarja ishte, që zonja kishte katër javë që kishte ardhur këtu për të rinovuar kartën e identitetit dhe është e angazhuar që të votojë. Ka biseduar me ata për ta marrë të premten, por zyrat i kishin thënë që të shkonte të dielën, se do të ishin hapur. Ajo kishte shkuar sot dhe i kishin thënë që ishte mbyllur me urdhër të ministrisë dje zyra e Aleatit. Pra, nuk merrej vesh, ajo tha se do t’i akuzoj për krim elektoral, se nuk votoj dot, vij nga Austria. Shteti ka detyrë të bëjë transparencë. Por përgjithësisht Shqipëria kjo është”, theksoi Lubonja.

Më tej, analisti Lubonja kritikoi edhe për shenjën që iu vihet në gisht të gjithë votuesve, duke thënë që kjo tregon se njerëzit trajtohen pa respekt.

Lubonja: Më poshtërojnë me këtë njollën që më vënë këtu te gishti, si të isha kriminel. Kjo tregon se njerëzit trajtohen pa respekt. Edhe këta ambasadorët që na trajtojnë si fëmijë. Ke parë ambasadorë ti të shkojnë nëpër zgjedhje? Madje as në Serbi nuk shkojnë. Kjo duhet të bëjë të reflektojnë këta politikanë, që na kanë katandisur këtu.

Nazarko: Nuk ka test, proces, i cili e vendos më shumë se ç’do proces tjetër, në shqyrtim modernizimin e një shteti, se sa zgjedhjet, pasi këtu testohen shumë aftësi. Aftësia e administratës publike, e institucioneve të tjera, atyre zgjedhore, KQZ, policia, edukata e qytetarëve, kultura e partive. Pra, është moment shumë interesant. Shqipëria është sa një qytet apo kryeqytet i madh evropian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb