TIRANË- Partia Kristian Demokrate ka deklaruar sot se mandati i deputetit dhe kreut të kësaj force, Mark Frroku është i paprekshëm, deri sa nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat. Në një deklaratë për mediat, PKD shprehet se po pret me padurim verdiktin e drejtësisë duke shtuas mandatin Frrokut, nuk ia kanë dhuruar as Rama dhe as Basha por zgjedhësit.

“Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë po pret me durim verdiktin e drejtësisë për kryetarin e saj, z. Mark Frroku. Për aq kohë sa nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare, mandatin e tij e konsiderojmë të paprekshëm. Këtë mandat PKD-së dhe z. Frroku nuk ia kanë dhuruar as Lulzim Basha dhe as z. Rama, por zgjedhësit e Qarkut të Shkodrës. Vota kristian-demokrate u dëshmua në shenjtërinë dhe legjitimitetin e saj edhe në zgjedhjet vendore të 21 qershor 2015. PKD rriti me 35 përqind zgjedhësit e saj, duke marrë edhe këshilltarë, pavarësisht dhunës, presioneve dhe grabitjes së votës”, deklaron PKD.

Duke iu përgjigjur akuzave të PD-së, deputeti i së cilës, Gert Bogdani tha sot se Rama po i ruan mandatin Frrokut megjithëse mungon prej 6 muajsh në seancë, PKD deklaron se PD kërkon t’i shmanget përgjegjësisë për çështjen e CEZ.

“Me këto akuza bajate, PD kërkon t’i shmanget përgjegjësisë së saj për megavjedhjen e CEZ-it dhe skandalet e tjera. Në kohën kur Shqipëria ka mbetur pa opozitë, Partia Demokratike nuk lë rast pa i bërë presione drejtësisë edhe për çështjen Frroku. PKD i ka neveritur të gjithë qëndrimet që tentojnë ta shohin arrestimin politik të deputetit Frroku si pjesë të dekriminalizimit. Dekriminalizimi duhet të fillojë me ata që kanë ekzekutuar qytetarë të pafajshëm në mes të Tiranës. Pastrimi i politikës duhet të nisë me ata i kanë shpëtuar drejtësisë me procedura. Politika duhet të largojë ata që kanë shitur interesat strategjike të shqiptarëve dhe po mbajnë peng zhvillimin e vendin në këto 25 vjet”, thuhet në reagim.

Në përfundim, PKD shprehet se pasuria e Frrokut është ngritur mbi mundin dhe sakrificat dhe se çdo gjë është deklaruar në organet tatimore. Sipas saj akuzat janë të motivuara politikisht.

“Duam t’iu kujtojmë opozitës se pasuria e Mark Frrokut është ngritur mbi mundin dhe sakrificat e bëra përmes bizneseve të tij. Prova më e mirë janë deklarimet e bëra në vite te organet tatimore. PD e di më mirë se askush tjetër se cila është origjina e pasurisë së kryetarit të PKD-së”. PKD i fton partitë politike që të presin me qetësi vendimin e drejtësisë shqiptare për akuzat e ngritura ndaj kryetarit të saj, z. Mark Frroku. Të gjithë shqiptarët po e shohin dita-ditës se këto akuza janë pjesë e konjukturave të pista, të motivuara politikisht nga segmente të caktuara”, deklaron PKD.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: