Nga: LUAN RAMA *
Sot “Sheshi i Republikës” në Paris është në zi. Pas natës së pagjumë dhe qirinjve të shuar, fytyrat e kalimtarëve e kanë humbur buzëqeshjen e zakonshme. Eci nëpër shesh pa mundur të eci, klith pa mundur të klith. Në sy kam 12 të vrarë: Cabu, Charb, Honoré, Tignous, Riss, Wolonski, Bernard… Në gjoks kam 12 plagë. Trëndafilë në ditë janari, të kuqe ekarlat, që feksin në kristalinën e lotit. Ja ku janë fytyrat e tyre, në këmbët e statujës së Republikës. Në shkronjat e arta që janë gdhendur në trupin e saj: “Liberté, Egalité, Fraternité”… Liri, Barazi, Vëllazërim! … I prek lehtë sytë e tyre, pa fjalë. Sipër në relievet e statujës, në duart e bronzta të heronjve të kësaj republike, të njerëzve që bënë revolucionet dhe ndërtuan të drejtën dhe bënë të triumfojë liria, pinjollët e tyre të sotëm kanë vendosur copa flamujsh, letrash, lule dhe emrat e tyre. Edhe ata kanë sot sloganin e tyre të shkruar: “Je suis Charlie!” Unë jam Charlie!… “Charlie Hebdo”, gazetë me emrin e lirisë. Të gjithë liberatorët e Francës duket se janë zgjuar në këtë mëngjes të hidhur për të përshëndetur të vrarët, sytë e tyre prej meiti që ende shohin të shkruar fjalën e lirisë; buzët e tyre që ende shqiptojnë fjalën e lirisë. Dy të rinj përballë luanit të bronztë dhe simbolit të guximit të lirisë bashkojnë duart dhe përqafohen duke pushtuar njeri-tjetrin, një lloj veprimi për të pushtuar gjithashtu të vrarët. Një plak i moçëm ngre sytë lart atij qielli gri si të kërkojë nga kubeja qiellore përgjigjen e pyetjeve të tij: – Si kështu? Përse vallë? A mund të vritet fjala?… Tutje duket flamuri në gjysmë shtizë… ngado ky flamur është në gjysmë shtizë… Një grua shtatzënë më afrohet e përhumbur në dhimbje. Sytë i ka të hapura e pa ngjyrë nga dhimbja e madhe. Vështron sytë e të vrarëve, duke lexuar ato qindra përshëndetje e fjalë, ato mijëra mesazhe të hedhura atje me duart e dhimbjes nën gulçime zemrash… letra, vizatime, lapsa… lapsa të gjatë nën shëmbëlltyrën e “Kullave binjake”, mesazhe që mbrëmja e 7 janarit dhe shiu i natës i kanë lagur, por nuk i kanë shuar. Instinktivisht, ajo vendos dorën mbi barkun e saj si të dojë të qetojë foshnjën e saj të ardhme. Diku më tutje, dora e një gruaje të vjetër vendos pranë fotografive 12 krizantema të bardhë… Franca sot është në zi. Franca, bota, unë, ti, ata, liria njerëzore. Në zi janë dhe të gjithë të vrarët e lirisë. Dikush më tutje ka shkruar: “Nëse heshtim, janë armiqtë e lirisë që fitojnë”… “Është drita që donin t’ua shuanin, por flaka nuk shuhet, ajo rritet më shumë” – ka shkruar një dorë tjetër, anonime, anonimët e një dhimbjeje të madhe…Një hebre me kapën e tij ka ndaluar pak më tutje me vështrimin e përhumbur mbi fytyrat e të vrarëve. Pranë tij ja dhe një arab. Franca kozmopolite, Franca e “tokës së azilit” për emigrantët e kërcënuar të botës që i shpëtuan diktaturave. Franca e fjalës së lirë. Shikimet e tyre pikëtakohen. Nuk flasin. Hebreu zgjat dorën dhe shtrëngon dorën e arabit. Nuk flasin përsëri. E njohin njëri-tjetrin. Një popull, një gjak… këngët e Testamentit të Vjetër i kanë përkundur të dy… Ballë tyre një slogan: “Contre la haine”… “Kundër urrejtjes”, dhe pranë një gjurmë e kuqe, si një shenjë gjaku, që dëshmon gjakun që shkakton urrejtja. Është ajo që e kërcënon republikën. “Zoti është i madh!” – përsërit dikush, por Liria është më e madhe! Liria mbi të gjitha. Njerëzit vërshojnë ngado për tu pikëtakuar në “Sheshin e Republikës”, pasi republika duhet mbrojtur nga të gjithë ne. Në trenin e metrosë, një fizarmoniçist plak, një emigrant, që ka ardhur në tokën e lirisë, luan një tango argjentinase. Njerëzit e kanë plagën të hapur por megjithatë e dëgjojnë. Kjo nuk na pengon të përkundemi, pasi jeta vazhdon… jeta që ngrihet mbi gjak martirësh. Fizarmoniçisti i ka sytë e trishtë. Luan për jetën. Një tango për Parisin e plagosur. Në ndalesën e stacionit tjetër ai zbret duke tundur kokën, pa fjalë, pa kërkuar asnjë para. Të gjithë e shohin me admirim. Dhe treni shkon tutje duke marrë me vete ehon e një tangoje të trishtë. E megjithatë rruga “Nicolas Appert” është në zi, Parisi është në zi, Franca është në zi. Eci nëpër shi, rikujtoj poemën e Paul Eluard për lirinë, kafshoj buzët dhe i them vetes: “Charlie Hebdo” do të botohet të mërkurën e ardhshme. Gazeta do të vazhdojë të jetojë. Dhe gazetarët do të guxojnë të kritikojnë dhe tallen me ata që nuk e duan dhe nuk e respektojnë fjalën e lirë, lirinë e shtypit, lirinë e njeriut të lirë. “Place de la République” është sot në zi…
(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: