Një i ri ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se ka plagosur me thikë dy vëllezër. Ngjarja në fjalë ndodhi në rrugën “Kuvendi i Dukagjinit” në lagjjen “Partizani” të Burrelit. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi me inicialet A.N., 28 vjeç, banues në fshatin Shelli, Njësia Administrative Macukull, në bashkëpunim me dy shtetasit e shpallur në kërkim, L. L., 26 vjeç dhe Xh. M, 24 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë dy vëllezërit, konkretisht shtetasit me inicialet A.Sh., 25 vjeç dhe A.Sh., 22 vjeç, banues në Burrel. Këta dy të fundit ndodhen në Spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia është vënë pas në ndjekje të dy të rinjve të tjerë.

Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit për konfliktin që po ndodhte, kanë ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, ku dy prej autorëve kanë mundur të largohen por janë identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për ndjekje të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb